Kronikë

Gjakovë, vajza me çrregullime mendore dyshohet se vrau babanë

Dyshohet se një vajzë me çrregullime mendore e ka vrarë babanë e saj në Gjakovë. Sipas njoftimit nga Policia, rasti ka ndodhur sot në rrugën “Sabrije Vokshi”, brenda shtëpisë së viktimës.

Rastin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj.

Ai ka thënë se trupi i viktimës është gjetur nga kujdestarja familjare, ndërkaq afër tij ishte edhe vajza.

Të dy kanë lëndime trupore, për çka Xhurkaj ka thënë se vrasëse potenciale mund të jetë e bija.

“Sot brenda në shtëpi, nga kujdestarja familjare është gjetur pa shenja jete personi M.R. - lindur 1933. Pranë trupit të viktimës ishte e shtrirë vajza e tij T.R - lindur 1962 e cila është me të meta mentale. Rastit i janë përgjigjur njësitë policore dhe urgjenca mjekësore dhe mjeku ka konstatuar vdekjen . Viktima kishte lëndime në kokë dhe dorë, por lëndime kishte dhe vajza, dhe për këtë arsye ekziston dyshimi i arsyeshëm se vrasëse potenciale mund të jetë vajza”, ka thënë ai.

Sipas tij, e njëjta është hospitalizuar në Spitalin “Isa Grezda” në repartin psikiatrik. Ndërkaq me vendim të prokurorit të dyshuarës i është caktuar masa -ndalim policor prej 48 orësh.