Kronikë

Që nga fillimi i aplikimit të masave ndaj koronavirusit 189 persona janë ndaluar në Pejë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se që nga fillimi i vendosjes së masave për shkak të pandemisë Covid-19, ka proceduar 189 persona që nuk kanë respektuar dispozitat shëndetësore.

Sipas tyre, që nga data 4 maj, kur kanë hyrë në fuqi masa lehtësuese të veprimit për parandalimin e sëmundjes COVID-19, është vërejtur numër i shtuar i qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar vendimet e Institucioneve të vendit.

Prandaj, sipas tyre, që kur ka filluar faza e parë e deri me sot, janë iniciuar 11 raste.

“Vetëm gjatë kësaj jave janë iniciuar 8 raste. Personat e dyshuar janë arrestuar dhe në shumicën e rasteve Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimi për 48 orë. Po ashtu, për mos respektim të orarit të lëvizjes, mos bartje të pajisjeve mbrojtëse (maska, doreza) dhe për mos mbajte të distancës – janë proceduar 189 raste”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, veprimet ligjore të përbashkëta të institucioneve dhe sjellja e përgjegjshme e bashkëpunuese e qytetarëve, në respektim të dispozitave ligjore për parandalim të sëmundjeve ngjitëse, ka dhënë rezultate pozitive konkrete.

Policia tutje ka apeluar te qytetarët të respektojnë masat parandaluese të vendosura nga institucionet.