Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka bërë me dije se është ndaluar i dyshuari K.A., në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin e veprës penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Në njoftimin për media, Prokuroria thotë se i dyshuari K.A., përmes rrjetit social Facebook, “ka prezantuar një bar, duke theksuar se me atë produkt shërohet Coronavirusi, i cili edhe e ka prezantuar mostrën e barit, me ç’rast e njëjta është konfiskuar dhe do të dërgohet për analizë në Institutin Bujqësor të Kosovës”.
“Gjithashtu, i dyshuari K.A., më 06 prill 2020, në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka publikuar informacion me mbishkrim ‘Përshëndetje, a ka vullnetar të infektuar me corona virus që do të perdorë barin që e bëjë unë në bazë bimore. Veprimi i barit: specter të gjerë kundër viruseve, veprim kundër replikimit të virusit brenda qelizës, stimulon sistemin imunitar për të luftu infeksionin. Bari përdoret vetëm një javë, nuk ka efekte anesore (nuk janë te njohura, bari është falas sasia e kufizuar). Imuniteti formohet brenda 10 dite’”, thekson Prokuroria në Gjilan.
Tek i dyshuari, gjatë bastisjes nga inspektorët policorë dhe farmaceutikë, janë gjetur 45 litra alkool etilik 95% pa prejardhje, me ç’rast i njëjti është sekuestruar dhe është dorëzuar në Doganën e Kosovës.
Edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin.
Përmes një njoftimi dërguar mediave, Policia thotë të ketë pranuar informatën se i dyshuari K.A., viti i lindjes 1965, mashkull-kosovar, ka publikuar në rrjetin social Facebook një shkrim ku kërkon vullnetarë që janë prekur nga virusi COVID-19, e të cilët dëshirojnë të përdorin një bari ‘me bazë bimore’, të cilin e prodhon vetë ai, pa pasur licencë për prodhim të një ilaçi të tillë.
“Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit policorë kanë njoftuar prokurorin kompetent, nga i njëjti është marrë autorizimi për veprime të nevojshme hetimore. Sot, më 15.04.2020, rreth orës 11.00, policia, në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik dhe Inspektorët Shëndetësorë, ka kryer një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një sasi alkooli dhe mostra të barit. I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë në prezencë të avokatit mbrojtës, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka njoftuar Policia.