Arbëri

Malisheva përkujton masakrën e Burimit

Përmes homazheve në vendin e vrasjes dhe në varrezat e martirëve, sot është përkujtuar masakra më e madhe në Malishevë, ajo e Burimit, ku u vranë e u masakruan 42 civilë, kryesisht të fshatrave Dragobil dhe Astrazup, si dhe banorë te fshatrave të Suharekës, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

Me këtë rast, homazhe kanë bërë, familjarët dhe të afërmit e të vrarëve,

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaci, zyrtarë të qeverisë komunale, anëtarë të Kuvendit të Komunës dhe zyrtarët të të gjitha subjekteve politike në Malishevë.

Kuvendi i Komunës së Malishevës, në mbledhjen e sotme të rregullt, ka mbajtur një minutë heshtje, në nderim të të gjithë të vrarëve në këtë masakër.

Masakra e Burimit,është masakra më e madhe në Komunën e Malishevës. Më 31 mars të vitit 1999, janë vrarë, janë djegur, e më pas janë masakruar 42 civilë, disa prej tyre edhe sot e kësaj dite nuk janë identifikuar.

Për këtë krim të organizuar, edhe sot pas tetëmbëdhjetë viteve nuk është dënuar askush dhe nuk është ngritur asnjë padi.