Arbëri

Kryetari i Suharekës po hetohet lidhur me shpronësimin e një prone

muharremaj

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës(PSRK) ka konfirmuar se është duke e hetuar kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj për një rast të dyshuar për keqpërdorim gjatë shpronësimit të një prone në Suharekë.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” prokurori special, Milot Krasniqi, i cili tha se bëhet fjalë për një parcelë te një rrethrrotullim.

“Është për një parcelë te një rrethrrotullim me interes publik në Komunën e Suharekës. Jemi duke punuar së bashku me hetuesit”, tha prokurori special Krasniqi.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, Muharremaj ka thënë se nuk ka informata dhe as nuk është intervistuar nga PSRK lidhur me këtë rast.

“Betimi për Drejtësi” në hulumtimin me temën “Kryetari që nuk shkruan por nënshkruan marrëveshje të kundërligjshme”, ka trajtuar çështjen se si kryetari Muharremaj kishte nënshkruar “ankeskontratë të kundërligjshme për vazhdimin e shfrytëzimit të pronës komunale”.