Prindërit në protestë - s’u morën masa ndaj mësimdhënësit që u raportua për ngacmim seksual
Afro 300 nxënës të fshatit Stanoc i Ulët i Vushtrrisë të hënën kanë bojkotuar mësimin. Prindërit e nxënësve kanë protestuar të hënën për të shprehur indinjatën për mosmarrjen e veprimeve ndëshkuese ndaj një mësimdhënësi që ata e akuzojnë për ngacmim seksual
Në Ditën Botërore të Fëmijëve prindërit e fshatit Stanoc i Ulët i komunës së Vushtrrisë vendosën që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollën “Nazmi Zhegrova”. Ky veprim nuk u bë për shkak se të hënën ishte festa ndërkombëtare, por në shenjë proteste për mosmarrjen e veprimeve për të ndëshkuar një mësimdhënës që ata e akuzojnë për ngacmim seksual.
M. M. ka thënë se e ka denoncuar mësimdhënësin në prill të këtij viti për ngacmim seksual ndaj vajzës së tij katërmbëdhjetëvjeçare, por se, sipas tij, masa nuk u morën.
“Kemi shkuar deri në Prokurori dhe me avokat për mbrojtjen e fëmijës dhe nuk kanë marrë asnjë masë dhe ai jep ende mësim. Atë është dashur ta përjashtojnë moti”, ka thënë ai.
Prindi rikthen në kujtesë ditën kur e telefonoi Policia për rastin.
“Ashtu siç më ka treguar vajza, ka qenë pushimi i gjatë dhe ka tentuar ta shtijë në një klasë vetëm. Edhe s’ka arritur për ta zënë dhe vajza ka ikur, e një nënë aty afër në oborr ka qëlluar dhe ka filluar të qajë nga frika se e njëjta mundet t’i ndodhë edhe fëmijës së tyre dhe ajo nëna i ka thirrur policinë, e pastaj më kanë njoftuar”, ka treguar ai.
Ankesa për sjellje joprofesionale të arsimtarit kanë edhe prindërit e tjerë.
S. Tahiri ka thënë se dy vajzat e tij janë ofenduar nga mësimdhënësi i njëjtë që është akuzuar për ngacmim seksual.
“Pikërisht ai i ka ofenduar dy vajzat e mia me fjalë shumë të rënda, duke iu thënë se jeni kafshë dhe nuk e meritoni shkollën, dhe gjendja na ka sjellë deri këtu ku jemi tash”, ka deklaruar ai.
E drejtori i shkollës, Sami Zabërgja, ka thënë se prindërit janë keqinformuar. Ai e vlerëson mësimdhënësin e akuzuar nga prindërit me performancë të kënaqshme dhe me sjellje profesionale.
“Është i kënaqshëm sa i përket monitorimit tonë dhe gjithçka është profesionale, gjithçka është e kënaqshme. Mirëpo këto pakënaqësitë janë si mungesë e informatave jo të sakta”, ka thënë drejtori i shkollës.
KOHA ka kontaktuar mësimdhënësin në fjalë, por ai ka mohuar pretendimet e prindërve. Sipas arsimtarit, ankesat ndaj tij janë hakmarrëse për shkak se ika vlerësuar disa nxënës me nota të dobëta.
“Unë vetëm i kam bërtit se ka qenë në korridor gjatë orës mësimore. Ne distancën e kemi pasur 15 metra. Krejt kjo është politike dhe hakmarrëse pasi një nxënës e kam notuar me notën 1”, ka thënë ai përmes telefonit.
Sipas Rregullores për organizimin e punës në shkolla fillore të mesme të ulëta dhe të mesme të larta, nëse një mësimdhënës shkel dinjitetit e nxënësve, masat janë me pezullim nga një deri në gjashtë muaj deri në marrjen e një vendimi nga organet kompetente. Këtë vendim e merr Komisioni Disiplinor i Komunës.
Profesori i denoncuar nuk është suspenduar asnjë ditë.
Drejtori i Arsimit, Albanez Tahiraj, ka arsyetuar mossuspendimin e tij, pasi, siç ka thënë ai, organet e rendit e kanë mbyllur rastin në mungesë të provave.
“Rasti është i mbyllur dhe Policia e ka konfirmuar zyrtarisht që në mungesë të provave rasti është mbyllur”, ka thënë Tahiraj, i cili nuk u përgjigj kur u pyet nga KOHA nëse Komisioni Disiplinor e ka shqyrtuar rastin. “A ka ndonjë pyetje tjetër se e dhashë përgjigjen, është konfirmim zyrtar i Policisë”, ka shtuar ai.
Prindi është ankuar se organet e drejtësisë nuk e kanë trajtuar lëndën me seriozitet. E, Prokuroria Themelore e Mitrovicës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS për kritikat e shprehura ndaj saj.
Prindërit të cilët të hënën protestuan para objektit të shkollës akuzuan edhe disa mësimdhënës për neglizhencë të procesit mësimor.
“Zakonisht fshati jonë ka pasur nxënës shumë të aftë dhe shumë të mirë. Nëse në këtë shkollë është suksesi i shkëlqyeshëm, kur të shkojnë në shkollë në Vushtrri janë të mjaftueshëm, e nuk po flas për nivele më të larta, kjo tregon se këtu diçka nuk është në rregull në shkollë”, ka thënë Adnan Januzi, kryetar i Këshillit të Prindërve.
Pas protestës së organizuar, policia e komuniteti zhvilluan takim me drejtorin e shkollës për më shumë se 1 orë.