Terapia tabletare onkologjike do të mund të merret nga sot, 30 qershor, në Spitalin e Prizrenit, pa pasur nevojë që pacientët të shkojnë në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka lavdëruar punën e institucioneve duke thënë se falë punës së tyre është arritur të jetësohet ky plan.
Ai ka thënë se “kjo do të jetë lehtësim për qytetarët e rajonit të Prizrenit dhe do ta lehtësojë punën edhe të stafit të Klinikës së Onkologjisë që është i mbingarkuar”.
Ndërkohë, po investohet në infrastrukturë në Klinikën e Onkologjisë, ku po shtohen kapacitetet ekzistuese me shtretër dhe shërbime shëndetësore, ka shtuar Vitia.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se mbi 100 pacientë nga rajoni i Prizrenit do të marrin terapinë tabletare 1 herë në muaj në Spitalin e Prizrenit, ku një mjek specialist onkolog dhe 1 infermiere nga Klinika e Onkologjisë do të vinë në spital si asistencë.