Arbëri

Banorët e Jezercit kërkojnë rikthimin e pronës 200-hektarëshe

Descriptive Text

Prej rreth 60 vjetësh, banorë të fshatit Jezerc të Ferizajt janë në pritje të zbatimit të vendimeve gjyqësore, për kthimin e 200 hektarëve tokë që ua ka marrë Serbia. Kthimin po e kërkojnë nga komuna edhe nëpërmjet një peticioni. Autoritetet komunale theksuan se kjo s’është në kompetencë të tyre, meqë prona është në emër të Agjencisë së Pyjeve, por në Ministrinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë thanë se nëse vendimet gjyqësore ekzistojnë, kthimin duhet ta bëjë komuna në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale

Banorë të Jezercit të Ferizajt kanë dorëzuar një peticion në komunë me afër gjashtë mijë nënshkrime, me të cilin kanë kërkuar zbatimin e 118 vendimeve për rikthimin e rreth 200 hektarëve, që thonë se u janë konfiskuar nga Serbia në vitin 1963.

Pronat figurojnë në emër të Agjencisë Pyjore të Kosovës. E, përfaqësues të fshatit kanë siguruar në arkiv të Kosovës vendimet e vitit 1965 të ish-Gjykatës Supreme, me të cilat banorëve u njihet e drejta në këto prona.

Nazmi Baliu, kryetar i fshatit Jezerc, kërkoi nga Komuna t’i vërtetojë dhe t’i zbatojë vendimet gjyqësore.

“Pas çlirimit kemi kërkuar që të rikthehen pronat tona që i ka marrë ish-pushtuesi, mirëpo kemi ardhur deri këtu pasi që është kërkuar një peticion për t’i ndjekur rrugët ligjore, ka thënë Baliu. “Peticionin e kemi bërë prej banorëve të fshatit Jezerc dhe e kemi dorëzuar edhe te kryetari i komunës, andaj do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore”.

E Fadil Sejdiu, që ka iniciuar peticionin, thotë se nuk ekziston asnjë dokument i cili i ka anuluar aktvendimet e ish-Gjykatës Supreme.

“Agjencia e Kadastrës dhe pushteti asokohe nuk kanë pasur vullnet politik për t’i ekzekutuar këto vendime dhe për t’i kthyer pronat në emër të banorëve. Një e drejtë e fituar e gjykatës është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligje të pronës”, ka thënë Sejdiu.

E, në Komunën e Ferizajt thanë se do ta shqyrtojnë peticionin dhe për të do të kontaktojnë edhe me institucionet përkatëse.

“Duke e pasur parasysh faktin dhe formën se për çka janë marrë ato prona, Komuna e Ferizajt e ka problem që ta ndërmarrë ndonjë veprim, sepse nuk është në kompetencën e saj prona që menaxhohet nga institucionet qendrore”, ka thënë Sabri Murseli, drejtor i Kadastrës në Ferizaj.

Por, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thanë se, pavarësisht që pronat figurojnë në emër të Agjencisë së Pyjeve, problemi duhet të adresohet nga Drejtoria e Kadastrës e Komunës, në bashkëpunim më Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

“Kjo çështje duhet të adresohet në Drejtorinë e Kadastrës në komunën përkatëse, e cila ka për obligim që në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale të Kosovës ta zgjidhin këtë çështje nëse aktvendimet për të cilat ju flisni janë të plotfuqishme dhe kanë bazë ligjore”, thuhet në një përgjigje të shkruar të kësaj Ministrie.

Këshilli i fshatit të Jezercit ka paralajmëruar protestë para objektit të komunës nëse vendimet gjyqësore nuk zbatohen.