Kosovë

Rrethrrotullimi “problematik” në Gllamnik

 

Banorët e fshatit Gllamnik të Podujevës po kërkojnë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të mos e ndryshojë lokacionin për ndërtimin e një rrethrrotullimi në magjistralen Podujevë-Prishtinë. Ata thonë se vendi ku ka qenë i planifikuar për këtë rrethrrotullim i lidh disa fshatra, kurse nëse i ndërrohet lokacioni, sipas tyre, nuk lidh asgjë, pos një biznesi privat. Zyrtarët e Ministrisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS

Të shqetësuar janë shprehur banorët e fshatit Gllmanik të Podujevës për shkak të ndërrimit të lokacionit për ndërtimin e një rrethrrotullimi në magjistralen Podujevë-Prishtinë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ata po kërkojnë që ky rrethrrotullim të ndërtohet siç ishte paraparë fillimisht në udhëkryqin e këtij fshati që lidh edhe fshatrat Sfeçël e Dumosh. Vendi ku, sipas banorëve, pritet të ndërtohet ky rrethrrotullim afër shkollës po bëhet për shkak të një biznesi privat.

“Fillimisht rrethrrotullimi në bazë të kontratës, të cilën e kanë bërë Ministria, është i caktuar këtu ku është qendra e Gllmanikut, ku gravitojnë shumë fshatra të tjera, të cilat lidhen, është fshati Dumosh, fshati Sfveçël, lagjja e Kosumajve dhe lagjet e tjera, të cilat kanë qasje për vajtje dhe shkuarje në shkollë edhe në punë. Njëkohësisht edhe pjesa tjetër e Gllamnikut, e cila është në anën e epërme”, ka thënë përfaqësuesi i fshatit Gllamnik, Osman Bahtiri.