Arbëri

Prishet koalicioni VV – PDK në Gjilan

Kryetari i Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka njoftuar të mërkurën se koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës në këtë komunë ka marrë fund.

“Kundërligjshmërinë dhe padrejtësinë e luftojmë, pa kompromis. Pas dështimit të seancës për të tretën herë me rradhë, qeverisja e përbashkët me PDK në Gjilan ka marrë fund. Janë tri vendime, pas të cilave, të ngjashme presim të vijnë ende për votim, që po bëhen shkaktarë për ndërprerjen e bashkëpunimit. Vendimet e konstatuara si të kundërligjshme, si dhe që favorizojnë individë e grupe të interesit janë tema që nuk diskutohen, por anulohen, pa alternativë”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Kryetari i Gjilanit ka thënë se vazhdojnë të jenë të prerë në qëndrimet dhe parimet e tyre.

“Pavarësisht pengesave dhe barrierave të shumta nga shumë akterë, askush dhe asgjë nuk devijon misionin tonë”, ka shkruar Hyseni.

VV-ja fitoi Komunën e Gjilanit pas balotazhit. Pati mbështetjen e PDK-së.