Arbëri

Në Spitalin e Prizrenit, rritet numri i pacientëve në dializë që nga fillimi i pandemisë COVID-19

Foto: Koha

Numri i pacientëve në dializë, në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit është në rritje që prej fillimit të pandemisë COVID-19. Aktualisht, në këtë repart shërbime mjekësore marrin 211 pacientë, 17 prej të cilëve janë nga veriu i Shqipërisë

Reparti i Hemodializës në Spitalin e Prizrenit aktualisht u ofron shërbime mjekësore 211 pacientëve me probleme në veshka nga rajoni i Prizrenit, por edhe nga veriu i Shqipërisë.

Punonjës të këtij reparti treguan se numri i pacientëve në dializë është në rritje që nga fillimi i pandemisë Covid-19. E numrin më të madh të tyre, krahas Prizrenit, e përbëjnë pacientët nga Suhareka e Malisheva, përderisa 17 janë nga veriu i Shqipërisë.

Pacientja Afërdita Dida ka treguar se për afër dy dekada udhëton nga tri herë në javë nga Kukësi në Prizren për ta marrë shërbimin e duhur mjekësor.

“Qe 19 vjet, po hyj për 20. Kam kaluar shumë mirë. Më kanë bërë shërbim jashtë mase. Një vërejtje nuk kam për ta”, ka thënë Dida.

Valmir Avdaj, kryeinfermier në Repartin e Hemodializës, ka deklaruar se shtimi i vazhdueshëm i numrit të pacientëve po ndodh që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit.

“Nga pandemia e më tej vazhdimisht kemi shtim të numrit të pacientëve, ditë pas dite. Ka edhe, që vlen të ceket, në moshë të re. Janë edhe në moshë të re që vijnë, ndoshta momentalisht mund ta kenë akute, por mund të them që mbesin kronike”, ka thënë Avdaj.

Ai ka thënë se efekti i sëmundjes COVID-19, por edhe faktorë të tjerë ndikuan që në 3 vjetët e fundit të ketë gjithnjë e më shumë pacientë që i nënshtrohen dializës.

“Kuptohet që janë efektet e Covidit, por sipas mendimit tim, edhe shumë lloje të antibiotikëve, gjë që direkt sulmojnë edhe veshkat, por ka edhe shumë lloje të tjera, që nuk dua ta luaj rolin e mjekut, por gjë që ne përballemi me shumë sfida dhe është një gjë shumë shqetësuese që rreth 3 vite e këtej, kemi shumë pacientë që vijnë me vlera të larta, gjë që duhet të kyçen në dializë, për shkak se në momentin që kyçet në dializë mund të them që mbi 50 për qind jeta i vazhdon pacientit në fjalë”, ka deklaruar Avdaj.

Në fund të vitit 2022, reparti ishte furnizuar me aparatura të reja, teksa sivjet planifikohet që të pajiset edhe me aparatura më të avancuara. Aty puna zhvillohet nga dita e hënë deri të shtunën, në tri ndërresa, teksa shërbimet e hemodializës ofrohen në tri salla të repartit, me nga 18 shtretër.