Kosovë

Keqplanifikimet në tender lënë nxënësit në Pozhoran me orar të shkurtuar qe tre vjet

 

Për shkak të keqplanifikimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me kriteret në tender, nxënësit e fshatit Pozhoran të Vitisë, do të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm të mbajnë orën mësimore 20 deri 25 minuta e të qëndrojnë në shkollë deri në orën 20:00. Nxënësit e prindërit shqetësohen se moszhvillimi i plotë i orëve mësimore, do të lërë pasoja të parikuperueshme në zhvillimin akademik.

Edhe vitin e ardhshëm, 14-vjeçarja Erleta Bogujevci dhe afër 700 nxënës të tjerë të fshatit Pozhoran të Vitisë, do të vazhdojnë të mbajnë orën mësimore 20 deri 25 minuta, ashtu siç e kanë zhvilluar tash e tri vjet.

Premtimi i institucioneve qendrore se në dhjetor do të përfundojnë punimet në objektin për shkollën fillore “Halil Alidema”, i cili ka filluar të ndërtohet që nga viti 2016, nuk do të përmbushet.