Arbëri

Me aktivitete kulturore është shënuar 28 Nëntori në Prizren

Descriptive Text

Dita e Flamurit në qytetin e Prizrenit është shënuar me aktivitete të ndryshme kulturore. Në sheshin kryesor 28 Nëntori është kremtuar me këngë e valle.

Në akademinë solemne të organizuar nga Komuna, që është mbajtur në amfiteatrin e universitetit “Ukshin Hoti”, është përkujtuar rëndësia historike e kësaj dite për shqiptarët dhe sakrifica e brezave të shumtë për flamurin kuqezi.

Kryetari Shaqir Totaj tha se kjo datë i bën bashkë shqiptarët duke pasur parasysh peshën historike që sjell me vete nga e kaluara e lavdishme, që prej Skënderbeut deri tek Adem Jashari.

“Është dita kur lumturia, mallëngjimi, vuajtjet, gëzimet, përkujtimet e kaluara dhe e tashmja, e ardhmja bëhen tok, për idealin e brezave të shumtë, për shqiptarët e bashkuar, të fuqishëm dhe të lirë, si faktor stabiliteti në rajon”, tha Totaj.

Ai tha se flamuri kuqezi është simbol rreth të cilit bashkohen e përkulen shqiptarët.

“Flamuri kuqezi, që valëvitet sot në çdo cep të qytetit tonë historik, qytetit të Prizrenit, qytetit të Lidhjes e në çdo qytet tjetër të Shqipërisë është simbol i qëndresës, frymëzimit, shtytje e motiv për liri”, tha Totaj.

Pas akademisë solemne është përuruar edhe libri për veprimtarin Haxhi Rrustë Kabashi, i autorit Shefqet Hoxha, derisa festa në qytet ka vazhduar me aktivitete të tjera kulturore.