Arbëri

Fushë-Kosova i zhvendos disa shërbime shëndetësore nga QKMF-ja për shkak të renovimit

Zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës i kanë zhvendosur disa shërbime shëndetësore nga QKMF “Fatmir Krasniqi” në QMF-në e re, pasi objekti i QKMF-së ka filluar të rinovohet.

Sipas komunarëve shërbimet shëndetësore të mjekësisë familjare – vizitat mjekësore te mjeku/mjeku familjar, shërbimi urgjent/emergjent, shërbimet laboratorike dhe barnatorja janë zhvendosur në objektin e ri të QMF-së në Fushë-Kosovë.

“Në QKMF do të vazhdojë vaksinimi i rregullt, vaksinimi kundër Covid-19, dhe vaksinimi kundër gripit sezonal. Në QKMF do të mbesin përkohësisht stomatologjia, administrata dhe sistemi informativ shëndetësor”, thuhet në një njoftim të Zyrës për informim të Komunës së Fushë-Kosovës.

“Shërbimet shëndetësore nuk do të mungojnë dhe si të tilla ato kryhen në objektin e ri në QMF, ku qytetarët janë të informuar me kohë për zhvendosjen e këtyre shërbimeve”.