Arbëri

Qytetarët e Prizrenit kërkojnë digjitalizimin e shërbimit të transportit urban

Komuna e Prizrenit rishtazi ka hartuar projekt-rregulloren e re që përcakton ushtrimin e veprimtarisë së transportit rrugor të rregullt të udhëtarëve dhe të mallrave. Gjatë diskutimit publik, qytetarët kanë kërkuar zgjerimin e rrjetit të mbulimit me autobusë urbanë, por edhe digjitalizimin e transportit publik

Komuna e Prizrenit po synon që të vendosë rregull në transportin rrugor brenda territorit të saj. Për këtë arsye ka hartuar projekt-rregulloren që përcakton ushtrimin e veprimtarisë së transportit rrugor të rregullt të udhëtarëve dhe të mallrave. Në kuadër të diskutimit publik, qytetarët kanë kërkuar zgjerimin e itinerarit të autobusëve të transportit urban, sikurse edhe digjitalizimin e këtij shërbimi. Zyrtarët komunalë kanë shpjeguar se këto kërkesa janë pjesë e kritereve që përcaktohen në fazat e mëvonshme.

Udhëheqësi i Njësisë për komunikim me publikun në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha, ka pohuar se organet komunale mirëpresin të gjitha komentet e kërkesat e qytetarëve lidhur me këtë politikë publike.

“Projekt rregullorja për transportin rrugor në territorin e Komunës së Prizrenit mëton që të gjitha kërkesat e qytetarëve dhe të transportuesve në Komunën e Prizrenit të integrohen ose t'i përmbajë kjo rregullore”, ka thënë Berisha.

Përparim Shala nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka sqaruar se projekt-rregullorja përbëhet prej 106 neneve dhe se është hartuar bazuar në legjislacion dhe praktikat e mira.

“Edhe pse jemi munduar duke u bazuar në ligje dhe rregullore të ndryshme jemi munduar me qenë më e kompletuar”, ka deklaruar Shala.

Ndërkohë qytetarët kanë parashtruar kërkesat e tyre që ndërlidhen kryesisht me funksionimin e transportit urban.

"Si çdo lagje tjetër edhe lagja jonë d.m.th Bashkësia lokale "Bajram Curri" në bisedë me qytetarët kanë një kërkesë rreth zgjerimit të shtrirjes së itinerarit të autobusëve lokal të transportit urban deri tek rrethi i Hoqës", ka thënë Dashmir Susuri nga lagjja "Bajram Curri".

Ndërsa Albrim Badallaj ka propozuar aplikimin e Sistemit Global të Pozicionimit.

“Qytetarët të jenë të informuar se ku ndodhet për momentin ai autobus lokal, në cilin vend, d.m.th me përcjellë me GPS”, është shprehur Badallaj.

Anëtari i Grupit punues për hartimin e projekt-rregullores, Zekë Tejeci ka sqaruar se në këtë fazë mund të plotësohet rregullorja, derisa sipas tij, kriteret e përmendura nga qytetarët përcaktohen më vonë.

“Këto janë pjesë e kritereve që përcaktohen më vonë për rregullimin e transportit lokal”, ka shpjeguar ai.

Projekt-rregullorja për transportin rrugor në territorin e Komunës së Prizrenit do të jetë në diskutim publik deri më datën 14 tetor 2022.