Arbëri

Kuvendi i Prizrenit me shumicë votash miraton buxhetin për vitin 2023

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të enjten, me shumicë votash kanë miratuar buxhetin për vitin 2023. Gjatë shqyrtimit të kësaj politike publike opozitarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kundërshtuar aprovimin me arsyetimin se ky buxhet nuk u shërben qytetarëve, por pushtetarëve.

Për dallim prej tyre, kuvendarët nga radhët e PDK-së kanë vlerësuar se buxheti i vitit të ardhshëm përfshinë të gjithë qytetarët dhe se në saje të tij do të realizohen projekte që përmirësojnë mirëqenien e tyre.

Drejtori i Financave, Sulltan Badallaj, para kuvendarëve ka shpjeguar se vlera totale e buxhetit komunal për vitin 2023 është 57.5 milionë euro dhe se për investime kapitale janë paraparë 18.6 milionë euro.

“Lidhur me buxhetin ne kemi punuar edhe nëpër terren, që i kemi mbajtur dëgjimet buxhetore, jemi munduar ta përmbledhim dhe ta kompletojmë që të del një buxhet më i konsoliduar, të jetë më gjithëpërfshirës, që të prek të gjitha regjionet, duke filluar prej lagjeve të qytetit në të gjitha fshatrat. Natyrisht duhet pasur parasysh se kërkesat dhe nevojat e qytetarëve janë më të mëdha se vet buxheti”, ka thënë Badallaj.

Por Karanfil Haxhillari i LVV-së ka vlerësuar se kërkesat e qytetarëve nuk janë marrë parasysh, dhe se në buxhet ka numër të madh projektesh që nuk mund të realizohen.

paraparë 221 projekte kapitale. A i bie kjo që për çdo ditë pune gjatë gjithë vitit duhet të projektohen, tenderohen dhe prokurohen nga çdo projekt për çdo ditë. A është e mundur kjo? Përgjigja dihet", ka deklaruar Haxhillari.

Adrit Krasniqi i PDK-së ka theksuar se me këtë buxhet përfiton secila familje në këtë komunë.

“Ky buxhet do të prek secilën derë, secilën shtëpi, dhe secilën familje të Komunës së Prizrenit”, është shprehur ai.

Ndërkohë Haziz Hodaj i LDK-së është pajtuar me konstatimin se do të ketë sfida për jetësimin e numrit të madh projekteve, por ka bërë thirrje që të përkrahet ky buxhet, meqë parasheh investime për Hasin.

“Ç'është e vërteta unë personalisht, por po kërkoj edhe prej tjerëve, sidomos prej hasjanëve të votohet, sepse edhe ashtu është proklamuar se do të jetë buxhet i hasjanëve, që unë nuk e kam parë se është buxhet i hasjanëve se ne kemi ende kërkesa", ka thënë Hodaj.

Edhe kuvendarët e AAK-së dhe të Nismës kanë ofruar përkrahje për miratimin e buxhetit, derisa disa prej kuvendarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë kanë ofruar vërejtje rreth projekteve të caktuara. Pas diskutimeve të gjata, buxheti është miratuar me 25 vota për dhe 7 kundër.

Sipas legjislacionit në fuqi për financat publike, komunat janë të obliguara të aprovojnë buxhetin për vitin e ardhshëm fiskal në Kuvendin e Komunës deri më datën 30 shtator të vitit vijues, dhe ta dorëzojnë në Ministrinë e Financave.