Arbëri

Pika transferuese e Drenasit është shndërruar në deponi, banorët kërkojnë largimin e saj

E tejmbushur me mbeturina është pika prej ku parashihet të transferohen vazhdimisht mbeturinat e Drenasit në fshatin Çikatovë e Vjetër. Pronarët e shtëpive thonë se nuk mund të zhvillohet jetë normale në mjedis të ndotur nga kundërmimi i pikës që është shndërruar në deponi. Problemin e kundërmimit që është rreth 8 vjet i vjetër, ata kanë kërkuar që ta zgjidhin institucionet

Si deponi duket pika transferuese e mbeturinave në Drenas, prej ku parashihet bartja e vazhdueshme e mbeturinave për në deponinë qendrore në Mirash të Prishtinës.

Tejmbushja, me dhjetëra tonelata mbeturina e pikës që gjendet në fshatin Çikatovë e Vjetër të Drenasit, është bërë pengesë e madhe për banorët. Ata kanë kërkuar zgjidhje për këtë, madje edhe largim të pikës së transferit të mbeturinave nga fshati i tyre.

Liman Shala, 54-vjeçar, thotë se kur era fryn, qëndrimi në këtë pjesë është i papërballueshëm.

“As frymëmarrje si duhet nuk mund të marrim për shkak të ndotjes së ambientit. Probleme të mëdha kemi edhe me tharje të rrobave, as nuk mund ta bësh hapjen e dritareve, asgjë. Kërkojmë nga Komuna që ta bëjë një zgjidhje, për shkaqe shëndetësore, për fëmijët tanë, ardhmërinë tonë”, thotë ai.
Jetesa afër kësaj deponie, sipas 59-vjeçarit Rrahman Shala, është jonormale.
“Këtu ka erë. Rrobat kur i shtrin për t’u tharë marrin erë, kot i ke larë. Këtu jo vetëm që është rrezik për njerëzit, por edhe për gjënë e gjallë. Kjo deponi është dashur të jetë në ndonjë mal a në ndonjë lug, që është i rrethuar me male”, pohoi Shala.

Komuna nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS për mbingarkesën e pikës transferuese me mbeturina.

Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës kanë thënë se Inspektorati ka bërë inspektime në zonën e Çikatovës për çështje mjedisore dhe se deri më tash nuk ka marrë ankesa nga banorët.

“Ne si Inspektorat i Ministrisë ndër vite kemi kryer inspektime të planifikuara. Për shkeljet eventuale ne kemi kërkuar eliminimin e tyre, si dhe kemi marrë masa ligjore. Si shembull: ndaj pikës së transferit me procesverbal dhe aktvendim kemi kërkuar që të trajtohet rrjedhja eventuale e ujërave, të cilat mund të ndikojnë në lumin Drenica. Ky obligim është kryer. Po ashtu kemi kryer inspektime edhe te guroret, por edhe te kompania ‘Ferronikeli’ dhe kemi vepruar konform ligjit”, ka thënë ministria në përgjigjen e saj.
Gjatë këtij viti, sipas MMPHI-së, Inspektorati nuk ka qenë në këtë pikë transferimi.

“Deri më tani, në këtë vit, nuk kemi bërë inspektim në ketë pikë”, thuhet tutje në përgjigjen e kësaj ministrie.

Në Drejtorinë e Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, dega në Drenas, nuk kanë pranuar të flasin para kamerës për këtë çështje. Janë arsyetuar se sasia e shtuar e mbeturinave është bërë shkaku i sezonit veror, stërvjetrimit e prishjes së automjeteve transferuese, si dhe për shkak të mospagesës së faturave për shërbimet e mbeturinave nga gati gjysma e banorëve.

Përgjigje për këtë çështje nuk kanë dhënë as në selinë kryesore të kësaj ndërmarrjeje publike rajonale në Prishtinë.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.