Arbëri

Vlojnë pakënaqësitë brenda pushtetit të Vetëvendosjes në Podujevë

Shpejtim Bulliqi

Një ditë pasi kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shkarkuar Besnik Mulliqin nga pozita e drejtorit të Inspektoratit, ka dhënë dorëheqje drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu. Mes arsyeve për dorëheqje ka përmendur edhe situatën e krijuar pas këtij shkarkimi. Kundër vendimit të kryetarit Bulliqi kanë dalë edhe asamblistë të LVV-së, të cilët kanë lënë të kuptohet se ndëshkimi ka ndodhur pas përcaktimit të tashmë ish-drejtorit për të rrënuar shumë objekte pa leje

Ka nxitur pakënaqësi tek eksponentët kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, vendimi i kryetarit Shpejtim Bulliqi, për ta shkarkuar Besnik Mulliqin nga pozita e drejtorit të Inspektoratit. Një ditë pasi është kumtuar kjo masë, ka dhënë dorëheqje drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu.

Veliu e ka konfirmuar vendimin dhe mes arsyeve ka përmendur edhe zhvillimet, që kanë ndodhur brenda komunës. Burime të KOHËS kanë thënë se ai ka pasur mospajtime të mëdha me kryetarin Bulliqi.

Edhe autoritetet komunale kanë konfirmuar se drejtori i Shëndetësisë është dorëhequr, por kanë theksuar se nuk ka pakënaqësi te zyrtarë të tjerë.

“Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu ka ofruar dorëheqjen e tij nga detyra e drejtorit. Ndërsa, lajmet tjera, që po qarkullojnë në rrjete sociale për shkarkimin apo dorëheqjet e zyrtarëve të tjerë janë spekulime dhe të pavërteta”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

E, ish drejtori i Inspektoratit, ka theksuar se shkarkimi i tij është bërë pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, përkatësisht në zonën e liqenit të Batllavës.

“Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm”, ka shkruar ai në Facebook. “Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me kryetarin e Komunës së Podujevës, në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër ‘Ai’ në tentim për të më penguar”.

Florent Hasani, asamblist i LVV-së, e ka shpërndarë njoftimin e tashmë ish-drejtorit të Inspektoratit. Para se ta bënte këtë, ai në një postim kishte përshëndetur “punën dhe guximin” e tij dhe e kishte inkurajuar që “të vazhdojë në tërë territorin e Llapit”.

E, asambleisti i kësaj partie, Ragip Fetahu, ka theksuar se drejtori Mulliqi, i kishte lexuar mirë parimet, që janë të shkruara në programin e LVV-së, e brenda të cilave ka lënë të kuptohet se nuk është kryetari Bulliqaj.

Por, akuzat i ka mohuar kryetari i Podujevës. Bulliqi ka thënë se “është pikërisht mospuna dhe sabotimi i Mulliqit”, që e ka detyruar ta marrë këtë vendim.

“Paralajmërimi për shkarkim i është bërë më 20 korrik dhe krejt kjo për shkak të neglizhencës dhe mosmarrjes së veprimeve konkrete, mu për ndërtimin e objekteve pa leje në lokalitetin e Orllanit. Deri tash janë 39 objekte pa leje dhe asnjë veprim të vetëm nuk e ka marrë deri sot. Dhe shkarkimi i tij dhe transferimet, që janë bërë brenda kësaj Drejtorie, janë bërë për shkak të neglizhencës dhe sabotimit të punës. Për 8 muaj ditë asnjë veprim të vetëm nuk e ka marrë deri në ditën e sotme, kur e ka ditur që është i shkarkuar”, ka thënë për KOHËN Bulliqi.

E, në një sqarim të Komunës së Podujevës është thënë se një nga arsyet kryesore për shkarkimin e Mulliqit është mosefikasiteti i punës së drejtorisë “duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës”. Ndërkaq në një përgjigje në maj, Mulliqi pati thënë se janë marrë 13 vendime për rrënime në këtë zonë.

Në qershor KOHA pati raportuar për tentimet e Komunës së Podujevës, që të krijonte një zonë turistike pranë Liqenit të Batllavës, por që ishte refuzuar nga Ministria e Mjedisit ende pa dalë në shqyrtim publik. Ishin refuzuar edhe kërkesat për ndërtime të restoranteve e vilave.