Pak veta kanë shprehur interesim për t’i marrë në shfrytëzim shtëpizat prej druri që janë vendosur në sheshin “Ali Ajeti” në Podujevë.
Deri tash vetëm gjysma janë duke u shfrytëzuar, aq sa ka qenë edhe numri i aplikuesve.
Rezultat nuk po jep as shtyrja e afatit për aplikim. Megjithatë, zyrtarët komunalë nuk preferojnë ta quajnë të dështuar këtë projekt.
“Shtëpizat kanë ardhur si rezultat i investimeve në infrastrukturën e turizmit vitin e kaluar, 6 kiosqet = 6,561.96€. Pas thirrjes publike, është shtyrë afati për aplikim dhe pas përfundimit të shtyrjes së afatit për aplikim është publikuar lista e përzgjedhur dhe njëkohësisht është bërë njoftimi që afati për aplikim mbetet i hapur deri në përmbushjen e numrit të nevojshëm për shfrytëzimin e shtëpizave”, ka thënë drejtori për Planifikim dhe Zhivillim Ekonomik (DPZHE), Vigan Salihu.
Ai ka theksuar se 3 shtëpiza do të ofrohen në shërbim të gastronomisë dhe 3 shtëpiza do të ofrohen në shërbim për biznese/OJQ në prodhim, përpunim të prodhimeve bujqësore, artizanate dhe të natyrës së ngjashme.
“Deri tash i kemi 3 aplikues, të cilët edhe janë shfrytëzues të 3 shtëpizave. 1 shtëpizë është dhënë në shërbim të gastronomisë dhe 2 shtëpiza në shërbim për biznese/OJQ në prodhim, përpunim të prodhimeve bujqësore, artizanate dhe të natyrës së ngjashme. Ky projekt përfshin periudhën 15.07.2022 - 31.08.2022. Ndërkohë, pagesa aplikohet në bazë të hapësirës publike të cilën e zë një shtëpizë. Pra, bizneset/OJQ-të e përzgjedhura janë të obliguara të paguajnë shumën prej 10€ për m² për periudhën e shrytëzimit të shtëpizës në hapësirë publike, 6m² një shtëpizë, për muaj 60€)”, ka deklaruar drejtori i DPZHE-së.
Vigan Salihu ka treguar edhe arsyen se pse nuk ka të interesuar për t’i marrë në shfyrëtim këto shtëpiza.
“Ndoshta vendi ku janë të vendosura shtëpizat nuk është mjaftueshëm i përshatshëm, po ashtu shumë prodhues, përpunues të produkteve bujqësore janë në valën e punëve dhe angazhimeve të tyre dhe një ndër faktorët kryesor e që janë prezentuar pranë Drejtorisë është mungesa e fuqisë punëtore sepse rrjedhimisht në momentin e marrjes së shtëpizës në shfrytëzim do të kërkohet angazhim shtesë, etj”, ka thënë ai. “Nuk e mendoj që duhet konsideruar si të dështuar një projekt i cili është duke performuar edhe pse jo në numrin e plotë të pjesmarrësve të mundshëm, gjatë ditëve në vijim mund të paraqiten edhe kërkesa tjera”.