Kosovë

Inspektorati në Lipjan vazhdon me rrënimin e objekteve pa leje

Ndertime pa leje Lipjan
 

Inspektorati në Komunën e Lipjanit edhe gjatë ditëve të fundit ka vazhduar me aksionin e rrënimeve tek objektet pa leje dhe parandalimin e ndërtimeve të tilla në zona të ndryshme të qytetit.

Aksioni i nisur rreth dhjetë ditë më parë ka rezultuar me dhjetëra rrënime dhe parandalime në ndërtime pa leje. Së fundi rrënime dhe parandalim të ndërtimeve janë bërë edhe në një universitet privat në afërsi të Lipjanit derisa sipas inspektoratit në mënyrë të kundërligjshme është synuar të ndërtohej një kat në mbi ndërtim të objektit. Ndërkohë edhe në pjesën tjetër të qytetit në drejtim të fshatit Banullë është rrënuar një objekt ndërtimor dy katërshe i cili ishte ndërtuar pa leje ndërtimore. Po ashtu rrënime të tilla kanë ndodhur edhe në pjesë të tjera të qytetit duke përfshirë edhe parandalimin e ndërtimit të një restoranti përgjatë shëtitores së qytetit. Të gjitha rrënimet kanë ndodhur me prezencën e Policisë së Kosovës, ndërkohë pronarët e objekteve sipas zyrtarëve komunal nuk kanë kundërshtuar gjatë procedurës.