Kosovë

LDK-ja thotë se është gati për zgjedhjet lokale

 

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë ka mbajtur sot takim me përfaqësuesit e të gjitha strukturave të saj, ku është diskutuar për organizimin e shënimit të 27-vjetorit të themelimit të LDK-së në Podujevë dhe ka iniciuar procesin e themelimit të grupeve të profesionistëve për hartimin e platformës zgjedhore të LDK-së në Podujevë.

“Në takimin e Kryesisë së Degës së LDK-së në Podujevë, të cilin e kryesoi kryetari Agim Veliu, e ku morën pjesë kryetarët e nëndegëve, u diskutua për organizimin rreth shënimit të 27-vjetorit të themelimit të LDK-së në Podujevë, manifestim ky që do të mbahet më 18 mars. Kryetari Veliu, në takimin me kryetarët e nëndegëve, tha se për organizimin këtij manifestimi solemn, kryesia ka emëruar këshill organizativ, i cili do të kujdeset për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti”, thuhet në njoftimin e LDK-së.