Arbëri

AAK-ja mbyll të dielën zgjedhjet e brendshme në disa komuna

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përmbyll të dielën procesin e zgjedhjeve të brendshme në Prizren, Ferizaj, Pejë, Malishevë dhe Obiliq.

Në kuvendet e degëve në Ferizaj dhe në Prizren të cilat po i zhvillojnë punimet që prej orës 10, gara për Këshillat Drejtuese dhe kryetarët e degëve po cilësohet më e fortë, ka njoftuar zyra për media e AAK-së nëpërmjet një komunikate.

“Tri degët e tjera të Aleancës, ato të Pejës, Malishevës dhe Obiliqit, kuvendet zgjedhore do t’i mbajnë prej orës 14:00, përkatësisht 17:00 dhe 18:00”, thuhet në njoftim.

Sipas AAK-së, deri më tani, degët e Aleancës në Gjakovë, Rahovec e Deçan, të cilat e kanë përmbyllur procesin zgjedhor, kanë zgjedhur kryetarët dhe këshillat drejtues.

Kryetari I kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se garë më e fortë në këto zgjedhje mbetet ajo në Prizren.

“Aleanca më e mobilizuar se asnjëherë, me numrin më të madh të nëndegëve dhe me mbi njëmijë pjesëmarrës në procesin e brendshëm zgjedhor. Uroj shumë sukses për të gjithë ata që do të marrin besimin për udhëheqjen e Aleancës në kryeqytetin tonë historik”, ka thënë Haradinaj në Facebook.