Arbëri

Gjarpërinjtë sulmojnë bagëtitë në Kamenicë, mungon serumi ndaj helmimit të kafshëve

Latif Sylaj, ushtrues detyre i drejtorit, ka thënë se QKMF-ja në Kamenicë është në pritje të furnizimit me një sasi të vogël të serumeve. E në Qendrën Klinike Universitare kanë thënë se ka sasi të mjaftueshme dhe kontratë të rregullt nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar për furnizim me serumin SAV

Me plagë e ënjte në fytyrë kanë mbetur pesë bagëti në një fermë në fshatin Kremenatë të Kamenicës, si pasojë e kafshimit nga gjarpërinjtë.

Sulmi i së martës ka qenë i dyti brenda javës, prej së cilave kanë pësuar dëmtime 20 viça.

Naim Arifi, pronar i fermës, ka thënë se gjatë gjashtë vjetëve, sa merret me veprimtarinë e kultivimit të bagëtive, nuk kanë ndodhur asnjëherë raste të sulmeve të këtilla.

“Ditën e parë, të dielën, e kemi gjetur gjarprin në derë edhe e kemi mbytur. Pas të dielës, prapë dje m’i ka sulmuar edhe dy viça. Njëri është më rëndë e tjetri e ka përjetuar më lehtë, se d.m.th. atë që e ka kafshuar të parin ka lëshuar helm më shumë. I dyti është pak më lehtë. Njëri është në rrezik shumë”, ka treguar pronari i fermës.

Arifi ka thënë se pavarësisht që ka kërkuar ndihmë në disa adresa, ai nuk ka arritur që të gjejë trajtimin e duhur kundër helmimit.

“E kam thirrur menjëherë AUV-në dhe më ka thënë se nuk ka serum kundër helmimit të gjakut. Kam kërkuar ndihmën e veterinarëve prej Kamenicës dhe kanë dalë veterinarët prej Kamenicës, i kanë trajtuar dy-tri herë në ditë me infuzione e injeksione. Kemi kërkuar edhe nga Mjekësia Familjare e Emergjencës në Kamenicë e Gjilan, por nuk ka serum. Por shqetësimi më i madh për ne është që nuk ka ilaç as për njerëz. Në qoftë se bëhet kafshimi i qytetarëve, i fëmijëve, nuk gjen serum”, ka thënë ai.

Mungesën e serumit kundër kafshimit të gjarprit e kanë konfirmuar edhe nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë.

Latif Sylaj, ushtrues detyre i drejtorit, ka thënë se QKMF-ja në Kamenicë është në pritje të furnizimit me një sasi të vogël të serumeve.

“Për momentin nuk kemi serum kundër kafshimit të gjarprit, por i kemi planifikuar tri copë, të cilat do të vijnë, sepse është kryer tenderimi nga buxheti komunal. Por në Komunën tonë shumë rrallë ndodh që të kemi kafshime nga gjarpërinjtë”, ka thënë Sylaj në një përgjigje me shkrim.

Në Qendrën Klinike Universitare kanë thënë se ka sasi të mjaftueshme dhe kontratë të rregullt nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar për furnizim me serumin SAV.

Arian Mavriqi, fotograf i botës së egër, ka thënë se gjarpërinjtë që kanë sulmuar fermën janë prej më helmuesve.

“Në momentin që m’i dërgoi fotot, e pashë që kemi të bëjmë me një gjarpër helmues, Vipera amodytes apo Nepërka helmuese. Prandaj, edhe ditë më parë kemi kërkuar që të ketë kujdes të shtuar, sepse ata tashmë janë aktivë gjithandej. Por, thjesht kërkojmë që të kenë kujdes të shtuar, sidomos njerëzit që dalin në terrene malore. Ata janë të kamufluar shumë mirë dhe zakonisht kafshimet ndodhin kur njerëzit shkelin në gjarpërinj dhe ata nuk i shohin. Natyrisht, mendojnë se jeni një rrezik potencial për ta. Kërkojmë kujdes të shtuar, nuk ka nevojë për ndonjë panik”, ka thënë Mavriqi.