Komuna e Podujevës i është përgjigjur pozitivisht nismës së ushtarëve ukrainas për të organizuar një aksion humanitar për Ukrainën. Për këtë qëllim, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka ftuar në takim Shtabin Emergent për mbrojtje, shpëtim dhe menaxhimin e krizave.
"Takimi është thirrur me qëllim të diskutimit për organizimin e aksionit humanitar, i cili buron nga iniciativa e ushtarëve ukrainas në Kosovë, e i cili do të zhvillohet në të gjitha komunat e Kosovës", thuhet në njoftimin e Zyrës për informim të Komunës së Podujevës.
Kryetari Bulliqi ka thënë se në këtë takim i ka ftuar akterët institucionalë lokalë, e të cilët do të jenë edhe bartës të këtij aksioni.
“Qytetarët e vendit tonë më mirë se askush tjetër e kuptojnë situatën me të cilën po përballet popullata civile në Ukrainë si rrjedhojë e agresionit rus, andaj konsiderojnë që për ata qytetarë në këtë fazë, secila ndihmë është e nevojshme", ka thënë nëpërmjet këtij njoftimi kryetari Bulliqi.
Sipas tij, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të aksionit, pika të grumbullimit të gjësendeve do të ketë në të gjitha institucionet lokale; në Komunë, në Stacionin e Policisë, në QKM, në shkolla dhe në institucione tjera.
"Aksioni do të zhvillohet nga 26 deri 29 prill, ndërsa me qëllim të sensibilizimit të opinionit, kryetari Bulliqi gjatë ditëve në vijim do të mbajë takime me biznese, shoqata dhe institucione të ndryshme potenciale për të kontribuar", thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.