Arbëri

Podujeva synon të vërë barazi në ndarjen e subvencioneve

Ekzekutivi i Komunës së Podujevës e ka përgatitur një draft-rregullore nëpërmjet së cilës synon që të vë barazi dhe drejtësi në ndarjen e subvencioneve. Megjithatë, këshilltarë të partisë në pushtet kanë i kanë pasur disa vërejtje për këtë dokument

Barazi e drejtësi në ndarje të subvencioneve po synon të vë ekzekutivi i Komunës së Podujevës. Zyrtarët e saj kanë thënë se rregullorja e deritashme nuk ka qenë gjithëpërfshirëse dhe nuk ka siguruar kritere të qarta. Drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani ka theksuar se me propozim-rregulloren për kushtet kriteret dhe procedurat e ndarjes së subvencioneve do të vendosen kritere të qarta.

“Komuna e Podujevës nga vitit 2012 ka operuar me një rregullore e cila nuk ka qenë gjithëpërfshirëse dhe nuk ka siguruar kritere të qarta mbi bazën e të cilës duhet të ndahen subvencionet dhe në këtë mënyrë të sigurohet drejtësi dhe barazi për ndarjen e subvencioneve. Duke e pas parasysh këtë u shtrua detyrë e domosdoshme që të draftojmë një rregullore të re për ndarjen e subvencioneve e cila siguron gjithëpërfshirje dhe kritere të drejta në ndarjen e subvencioneve në mënyrë që të pamundësohet çfarëdo ndikimi në ndarjen e subvencioneve”, ka thënë Fatlum Osmani.

Drejtori për Buxhet dhe Financa ka theksuar se me këtë dokument përcaktohen kushtet, kriteret dhe procedurat që i mundësojnë komunës ndarjen e mjeteve financiare pa kthim nga kategoria e subvencioneve në fusha përkatëse të cekura në këtë rregullore për persona fizikë, juridikë, si dhe vendosjen e një sistemi transparent dhe llogaridhënës për financimin dhe subvencionimin e projekteve, aktiviteteve si dhe dhënies së ndihmës për nevoja të ndryshme të qytetarëve.

“Me këtë rregullore përcaktohen procedurat për ndarjen e subvencioneve dhe transfereve në fushën e arsimit, zhvillimit ekonomik, bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, kulturës, rinisë dhe sportit, për mbulimin e shpenzimeve të varrimit, për vendbanim në territorin e Komunës së Podujevës, si dhe për subvencionimin e qirasë së banimit”, ka theksuar ai.

seancën e fundit të Kuvendit Komunal kuvendarët e kanë miratuar daljen në diskutim publik të propozim-rregullores në fjalë. Këshilltari i partisë në pushtet (VV), Xhevdet Maloku, fillimisht ka thënë se ky dokument është shumë i rëndësishëm, pasi sipas tij, eliminohen parregullsitë, monopolet e diskriminimi. Megjithatë, Maloku i ka pasur edhe disa vërejtje për dokumentin e ri.

“Unë i kam disa sugjerime. Paragrafi 4 i nenit 6 ku thuhet ‘nëse me fajin e përfituesit nuk përmbushen obligimet e përcaktuara në vendimin apo në marrëveshjen për ndarjen e subvencioneve për tri vitet e ardhshme përfituesi humb të drejtën në përfitim nga secila kategori e subvencioneve’. Këtu duhet pasur parasysh që përfituesi mund të mos i përmbush obligimet për shumë arsye dhe që duhet të merret parasysh arsyeja para se të pezullohet e drejta e tij për përfitim”, është shprehur Xhevdet Maloku. “Ka shumë raste kur përfituesi i një subvencioni nuk arrin të plotësojë kriteret e cekura më parë, siç është rasti i mbulimit të participimit prej 30 për qind të shumës së subvencionimit dhe që përfituesi mund të pësojë ndonjë fatkeqësi të llojit të ndryshëm dhe si pasojë e kësaj mund të mos ketë mundësi të paguajë pjesën e tij financiare prej 30 për qind”.

Andaj, ka thënë këshilltari i VV-së, do të ishte shumë e padrejtë të pezullohet e drejta e përfituesit që për tri vitet e ardhshme të mos përfitojë subvencion nga komuna.

“Andaj kërkojë që të merret parasysh ky argument dhe të ndryshojë me sa vijon: obligimet e përcaktuara në marrëveshjen për ndarjen e subvencioneve nëse nuk përmbushen nga mospërgjegjësia e përfituesit me përjashtim të ndonjë fatkeqësie, për tri vitet e ardhshme përfituesi humb të drejtën në përfitim nga secila kategori e subvencioneve”, ka deklaruar Maloku. “Po ashtu kemi nenin 13 ku propozoj t’i shtohet edhe një paragraf me sa vijon: Marrëveshja duhet të nënshkruhet në një afat prej 15 ditëve kalendarike pas shpalljes së vendimit për ndarje të subvencioneve në mënyrë që të përcaktohet saktë periudha se kur duhet përfunduar me marrëveshje mes dy palëve dhe jo të zgjatet nënshkrimi i marrëveshjes nga cila do qoftë palë për çfarëdo qoftë arsye”.

Përmirësim ka kërkuar të bëhet edhe në nenin 15 te kriteret që nevojiten për ndarjen e bursave studentore. Ai ka thënë se duhet të rishqyrtohet mundësia e shtimit të një kriteri tjetër, ku thuhet studenti apo nxënësi i cili ka arritur sukses në garat të ndryshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe që nuk ka përfituar subvencion sipas neni 14, paragrafi 1.6 dhe 1.8 dhe të ketë vlerësim shtesë prej 5 pikësh.

“Rrjedhimisht nga kjo te ky nen, paragrafi 2 te dokumentet që kërkohen për bursë të shtohet një kriter ku kërkohet dëshmi për rezultatet në gara”.

Edhe këshilltarja Endritë Murati nga PDK ka kërkuar nga ekzekutivi që të ketë kujdes kur drafton dokumente që mund të bie në kundërshtim me një dokument të nivelit qendror.

“Dua të shprehë përkrahjen time në parim për domosdoshmërinë e hartimit të rregullave dhe procedurave të qarta që e rregullojnë segmentin e shpërndarjes efiçiente të përkrahjes financiare e mbështetjen e iniciativave e projekteve të sektorit joqeveritar ose civil”, ka thënë këshilltarja Murati. “Por, do të kisha bërë një thirrje për ekzekutivin që e ka hartuar këtë propozim të aktit normativ që të ketë kujdes dhe të zhvillojë konsultime shteruese me nivelin qendror, konkretisht me Ministrinë e Financave në mënyrë që të mos kemi akte normative në fuqi që e kundërshtojnë njëra-tjetrën për probleme të njëjta, me çka e vështirësohet zbatueshmëria e akteve normative dhe krijohen rrethana për kontestim të procesve të domosdoshme për realizimin e orientimeve programore të komunës”.

Por, drejtori Fatlum Osmani, ka thënë se Rregullorja komunale nuk bie ndesh me Rregulloren e Ministrisë së Financave për subvencionimin e organizatave joqeveritar.

“Normalisht që kurdo që Komuna subvencionon në atë fushë është e obliguar që ta zbatojë atë rregullore dhe kjo rregullore nuk ka të bëjë me subvencionimin e OJQ-ve. Sigurisht që Komuna do të subvencionojë edhe OJQ, por çdoherë kur e bën thirrjen për subvencionimin e OJQ-ve e kemi obligim ligjor dhe normalisht do t’i referohemi rregullores së Ministrisë së Financave për subvencionimin e OJQ-ve”, ka thënë ai.