Komunarët e Obiliqit kanë shënuar kode buxhetore edhe për gjërat që nuk janë blerë. Në raportin e kryetarit të Komunës, Xhafer Gashi për vitin 2021 figuron edhe një autoambulancë për të cilën figuron një shumë prej mbi 19 mijë eurove. Por, kjo autoambulancë nuk është blerë. Këtë e kanë pranuar edhe vetë zyrtarët komunalë gjatë seancës të së premtes të Kuvendit Komunal kur është diskutuar për këtë raport. Përveç kësaj, këshilltarët komunalë kanë thënë se 228 mijë euro nga të hyrat vetjake nuk pasqyrohen në raport.
Megjithëse është diskutuar për raportin e kryetarit Gashi, ai nuk ka qenë gjatë kësaj seance. E nënkryetari, Ibush Mjekiqi, fillimisht u ka thënë këshilltarëve komunalë se nuk ka çka të shtojë diçka nga ajo që figuron në raport.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të partisë në pushtet, Enver Gashi, i cili është vëllai i kryetarit të Komunës. Ka thënë se e ka vetëm një falënderim për punët që kryetari dhe ekzekutivi i kanë bërë gjatë vitit të kaluar.
Ndërsa, shefi i GK të VV-së, Sami Ahmeti, e ka quajtur të shkapërderdhur raportin e kryetarit të Komunës së Obiliqit.
“Për dalim prej shumë fakteve që do të duhej cekur, raporti ka mungesa të mëdha. Megjithatë ne me kërkesa do t’u drejtohemi drejtorive veç e veç për aty ku i kemi vërejtjet tona”, është shprehur Ahmeti.
Ndërsa, Ajet Berisha nga LB-ja, ka pasur vërejtje për mungesën e kryetari Gashi.
“Me u diskutua raporti i kryetarit e mos me qenë prezent ai është joserioze. Ka fjalë boshe, retorikë ka pasaktësi, raportim jo të saktë, me gabime teknike. Është e vështirë edhe me lexua. Minimalisht kur të debatohet është dashtë me qenë prezent kryetari. Unë propozoj që të shtyhet, të përmirësohen këto gabime”, ka kërkuar Berisha.
Por, nënkryetari Ibush Mjekiqi, e ka quajtur vlerësimin e këshilltarit të LB-së si subjektiv, kurse për kryetarin ka thënë se ka agjendë tjetër.
Këshilltari Ajet Berisha ka theksuar se në raport nuk figurojnë të hyra në vlerë prej 228 mijë e 743 mijë euro.
“Buxheti ka qenë i planifikuar 11 milionë e 190 mijë e 796 euro, të hyrat vetanake kanë qenë të planifikuara diku 950 mijë euro, janë tejkalua 225 mijë 251 euro, që në total bëjnë 11 milionë e 416 mijë e 47 euro. Kurse në raportin që na e keni ofruar buxheti është 11 milionë e 644 mijë e 790 euro. Që rezulton se 228 mijë e 743 euro nuk i keni pasqyruar kurrkund si të hyra. Dhe na nuk dimë kah kanë ardhur”, ka thënë Berisha.
Ai ka pasur vërejtje edhe për mosspecifikim të shpenzimeve qoftë për mallra dhe shërbime, qoftë për subvencione, etj.
“Ju thoni se e keni bërë shpenzimin e buxhetit mbi 90 për qind, edhe pse tek investimet kapitale është më pak 80 për qind që kallëzon mungesën e kapaciteteve nga kjo komunë për shpenzim të mjeteve. Unë konsideroj se edhe kjo përqindje që e keni shkruar ju se e keni shpenzuar buxhetin 90 për qind nuk qëndron, sepse në pasqyrat financiare ju nuk i keni pasqyruar saktë, që është problem shumë serioz. 228 mijë euro na nuk e dimë ku i keni marrë”, ka thënë këshilltari i LB-së. “E dyta, kur vjen te shpenzimi total, Zyra e prokurimit thotë, përmes kësaj Zyre janë tenderuar dhe janë harxhuar 3 milionë e 308 mijë e 317 euro. Për tenderim për vitin 2021 kanë qenë 6 milionë e 129 mijë euro. Qysh ka mundësi me u shpenzua 90 për qind e buxhetit, kur nga ajo që është dashtë me u tenderua janë 6 milionë e 129 mijë, kurse nga Zyra e prokurimit raportohet se janë shpenzua mbi 3 milionë e 300 mijë që është pak më shumë se 50 për qind”.
Ajet Berisha ka thënë se raporti i kryetarit të Komunës së Obiliqit përmban të pavërteta dhe pasaktësi.
“Për shembull në raportin e Drejtorisë së Shëndetësisë thotë blerja e autoambulancës. Unë jam punëtor shëndetësor dhe autoambulancë në 2021 nuk kemi blerë. Me kaq paturpësi me na mashtru, ose me vu në këtë raport sene të pasakta, vërtetë kjo është mungesë e seriozitetit”, ka thënë ai.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vlora Mjekiqi-Kabashi, ia ka ndërpre fjalën Berishës me arsyetimin se i ka shpenzuar 10 minuta dhe ka kërkuar që të kalojnë në pikën tjetër të rendit të ditës. Por, Berisha ka kërkuar sqarime për çështjet e ngritura.
E nënkryetari Ibush Mjekiqi, ka thënë se raporti nuk miratohet në Kuvend, por vetëm diskutohet për të.
“Pretendimet të cilat i ngriti Berisha janë veç pretendime të tij. Raporti i shpenzimeve në masën 90 për qind dhe 80 për qind është shumë i saktë. Nuk mund të jetë jo i saktë. Për të gjitha çështjet të cilat i ngrite këto ekziston auditimi i brendshëm, sepse shteti funksion e ka edhe sistemin e kontrollit dhe të gjitha këto, në bazë të auditimit, ato që ti i the, dalin a janë të sakta a nuk janë. Unë them me përgjegjësi të plotë që ke ngrit çështje të cilat nuk janë të sakta. Të gjitha çka janë punuar gjatë vitit 2021 është e pasqyruar këtu”, është shprehur nënkryetari Mjekiqi. “E përmende një rast tek autoambulanca, është e vërtetë që nuk është blerë, por kodi buxhetor është i tillë që shkruan blerja e autoambulancës dhe veturave. Do të thotë ashtu është kodi buxhetor. Vija buxhetore ka qenë dhe ajo ka mbetur, është edhe këtë vit dhe ka me vazhdu të jetë, sepse kemi nevojë ende me furnizu me vetura dhe autoambulanca për nevoja të QKMF-së, pastaj të QPS-së dhe të nevojave tjera. Kështu që gjithçka çka është në raport është e saktë dhe nuk është e pasaktë”.