Arbëri

Pushtetit në Gjakovë nuk i pëlqen rregullorja e miratuar në Qeveri

Komuna e Gjakovës i ka njoftuar këto ditë qytetarët se tashmë ka hyrë në fuqi Rregullorja(QRK) Nr.07/2021, mbi Pezullimin e Shërbimeve Komunale për Mbledhjen e Detyrimeve të Papaguara të Tatimit në Pronë, e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 31 tetor 2021.

Shërbimet komunale, që pezullohen për tatimpaguesit deri në pagesën e plotë të obligimeve tatimore të papaguara sipas rregullores në fjalë, janë shërbimet nga Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë dhe nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Ndalesa dhe pezullime të tjera të shërbimeve komunale janë: konkurrimi në rastin e shpalljes së tenderëve nga Komuna, marrja me qira e pronës së Komunës, aplikimi për grante dhe subvencione, certifikimi i përshtatshmërisë së objekteve për veprimtari biznesi, lëshimi i lejes për prerjen e pyllit, lëshimi i lejeve për përdorimin e pronës së paluajtshme për ushtrim të veprimtarive të ndryshme komerciale dhe lëshimi i lejeve dhe pëlqimeve sanitare.

Durim Halilaj, drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës, ka thënë se Qeveria lokale është kundër këtyre kushtëzimeve që i ka vendosur Qeveria e Republikës së Kosovës përmes kësaj rregulloreje.

“Ne jemi kundër kushtëzimeve të tilla për qytetarët, as që na ka pyetur kush për rregulloren, por jemi të detyruar ta zbatojmë”, ka thënë ai për KOHËN.

Neni 2 i kësaj rregulloreje që përcakton fushëveprimin e saj thotë: “Dispozitat e kësaj rregullore janë të detyrueshme për të gjitha komunat në Republikën e Kosovës”.

“Te kadastra, prokurimi apo urbanizmi është në rregull, por është shumë i pakuptimtë kushtëzimi i subvencioneve në shëndetësi”, ka veçuar Halilaj.

Mimoza Shala, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjakovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka tërhequr vëmendjen se Rregullorja Nr. 07/2021 e ardhur nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet zbatuar.

"Përjashto këtu ndonjë specifikë që komuna të caktuara duan të ndryshojnë, atëherë le të diskutohet në Asamble dhe të merret vendim që t'i drejtohemi MAPL-së", ka theksuar Shala. "Përndryshe, ankesat e AAK-së në qeverisjen lokale të Gjakovës kundrejt Qeverisjes qendrore janë të vazhdueshme, janë tendencë për të bërë opozitën e qeverisjes qendrore nga niveli lokal”, ka nënvizuar kuvendarja e LVV-së.

Rrezarta Mustafa-Vonhof, nga OJQ "Dignity" në Gjakovë, duke e komentuar rregulloren në fjalë, ka thënë se parimisht çdo shtetas i Kosovës duhet të mbajë përgjegjësi ndaj obligimeve komunale e shtetërore, siç janë pagesa e tatimeve.

"Por, do të ishte mëkat për të varfrit, pleqtë e vetmuar dhe të pafuqishmit të pësojnë për shkak të atyre që kanë mundësi të paguajnë, por refuzojnë", ka theksuar ajo.

Kriger Ramaja, banor i fshatit Qerim, ka shfaqur bindjen se me këtë rregullore në të shumtën e rasteve nuk preken qytetarët e rëndomtë.

"Për mendimin tim janë normale taksa të tilla dhe duhet të paguhen, sepse kryesisht këto nuk prekin qytetarët e shtresave që kanë nevojë, ose që varen kryesisht nga pagat që marrin, por janë shërbime që ofrohen për një pjesë të shoqërisë që kanë biznese, prona dhe që të ardhurat e tyre i tejkalojnë të ardhurat mesatare që kanë shumica e banorëve të komunës sonë", ka thënë ai.

"Për mendimin tim veprimi i tillë është i drejtë dhe duhet të paguhen tatimet, shteti duhet të mbahet disi", ka shtuar Ramaja.