Arbëri

KRU "Gjakova" kërkon borxhet mbi 10 milionë euro, kërcënon edhe me përmbarues

Kompania Regjionale e Ujësjellësit "Gjakova" ka kërkuar sot përmes një adresimi publik, nga konsumatorët që t'i kryejnë pagesat obligative kundrejt ujit të shpenzuar.

"Kompania Rajonale e Ujësjellësit 'Gjakova', fton të gjithë konsumatorët të cilët nuk i janë përgjigjur detyrimeve ndaj ujësjellësit kundrejt ujit të shpenzuar, të kryejnë obligimet e tyre, në të kundërtën jemi të detyruar që lëndët t'i dërgojmë në procedurë përmbarimore", ka paralajmëruar menaxhmenti i kompanisë duke bërë me dije se thirrja vlen për gjithë zonën ku KRU "Gjakova" është përgjegjëse, në Gjakovë, Rahovec dhe Prizren. "Ftojmë të bëni pagesat për arsye të mos grumbullimit të borxhit, si dhe stabilitetit financiar të kompanisë duke qenë se operojmë si kompani vetëfinancuese dhe pagesat e juaja kontribuojnë drejtë për drejtë në shërbime të cilat ofrojmë dhe efikasitetin e prodhimit. KRU 'Gjakova' njëherit ua rikujton konsumatorëve se ekziston mundësia e riprogramimit të borxhit, me kusht që të paguajnë 20% të vlerës të cilën e kanë borxh dhe pjesa tjetër do të ju riprogramohet për 24 muaj, mundësi e pagesës së borxhit me këste", ka dhënë detaje për një lehtësim në shlyerjen e obligimeve nga konsumatorët, KRU "Gjakova".

Zyrtarë të kësaj kompanie ndërkaq në një përgjigje në interesimin e KOHËS kanë dhënë shifra të larta të borxheve që konsumatorët i kanë asaj.

Driton Kurti, U.D., Drejtor i Departamentit Komercial në KRU "Gjakova" ka bërë me dije se borxhet e konsumatorëve shtëpiak ndaj kësaj kompanie janë 7,382,021.95 euro. Borxhet e konsumatorëve komercial sipas njoftimit janë 2,185,482.25 euro, ndërkaq borxhet e konsumatorëve institucional në vlerë prej 456,863.70 Euro.

Totali i borxheve të konsumatorëve ndaj KRU "Gjakova" arrin vlerën prej mbi 10 milionë euro.

"Kompania mbetet e fokusuar në inkasimin e borxheve përmes riprogramimeve apo procedurave të tjera ligjore", ka thënë për KOHËN, Kurti.