Arbëri

Shqetësime rreth interesimit të paktë të komuniteteve joshumicë për vaksinim

Descriptive Text

Interesimi i qytetarëve të Komunës së Prizrenit për vaksinim kundër COVID-19, sipas autoriteteve komunale, është shtuar ditëve të fundit bashkë me ngritjen e rasteve pozitive. Porse shqetësues, si për zyrtarët lokalë ashtu edhe për ata të nivelit qendror, mbetet interesimi i paktë për vaksinim i komuniteteve joshumicë në këtë komunë.

Hamzë Rexha të mërkurën e mori dozën e tretë të vaksinës në Qendrën e Vaksinimit në Prizren. Ai me këtë rast u bëri thirrje edhe qytetarëve të tjerë që të imunizohen ndaj koronavirusit.

“Patjetër, patjetër duhet marrë vaksinën. Nëse shteti thotë ashtu, ashtu duhet bërë. Duhet të vaksinohet secili”, ka deklaruar Hamzë Rexha, qytetar.

Burbuqe Berisha, drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, ka thënë se interesimi i qytetarëve për vaksinim gjatë ditëve të fundit është rritur dukshëm. Porse pranoi që procesi në mjediset e banuara me komunitete joshumicë nuk ka ecur me dinamikën e duhur, me gjithë angazhimin edhe të ekipeve mobile.

“Sa i përket komuniteteve RAE, ata me një kërkesë të drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë është bërë në mënyrë të organizuar vaksinimi i tyre. Por për dozën e dytë nuk kanë shprehur interesim të madh. Shqetësues është fakti se komuniteti boshnjak nga rajoni i Zhupës, përkundër ofrimit të mundësisë për vaksinim në fshatrat e tyre, interesimi është më i zbehtë”, u shpreh Berisha.

Vështirësitë rreth vaksinimit të komuniteteve joshumicë, ditë më parë i ka theksuar edhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave, Emilija Rexhepi, gjatë vizitës së saj në Prizren, për të ofruar përkrahje në luftën kundër COVID-19.

“Njëra nga fokus grupet është edhe vaksinimi i komuniteteve joshumicë në Komunën e Prizrenit, konkretisht komuniteti boshnjak në trevën e Zhupës ka shumë probleme dhe ne do të angazhohemi në këtë drejtim”, tha Emilija Rexhepi, zëvendësministre për Çështjet e Pakicave.

Sipas të dhënave të drejtuesve të kujdesit parësor shëndetësor, në Komunën e Prizrenit, që prej prillit të vitit të shkuar e deri më tani, janë administruar mbi 150 mijë vaksina. Me dozë të parë janë vaksinuar 80 mijë qytetarë, me të dytën 65 mijë, ndërsa me atë përforcuese mbi 5 mijë persona.