Arbëri

Totaj emëron 11 drejtorë në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj të martën ka emëruar drejtorët e ekzekutivit lokal. Sipas njoftimit të kësaj komune, nga gjithsej trembëdhjetë drejtori, Totaj ka emëruar njëmbëdhjetë drejtorë.

Dy drejtorët e tjerë do të emërohen në ditët në vazhdim, sipas njoftimit të Komunës.

Aty theksohet se drejtorët e emëruar janë: Drejtoria e Arsimit dhe Shkencës - Luljeta Veselaj-Gutaj, Drejtoria e Shërbimeve Publike - Çelë Lamaj, Drejtoria e Administratës - Edin Shehu, Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor - Pranverim Berisha, Drejtoria e Kadastrës dhe Gjeodezisë - Senxhar Karamuço, Drejtoria e Shëndetësisë - Burbuqe Berisha, Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural - Bexhat Bytyqi, Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik - Lirija Bytyqi, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Adem Morina, Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale - Vjollca Kabashi, dhe Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë - Ramize Shala.

Totaj një ditë më parë ka filluar me emërimet në pozita politike. Të hënën, ish-deputeti dhe ish-ministri Kujtim Gashi, që aktualisht është nënkryetar i degës së PDK-së, është emëruar nënkryetar i Komunës së Prizrenit.

PDK-ja ka lidhur marrëveshje koalicioni me AAK-në dhe Nismën, të cilat subjekte në ekzekutiv përfaqësohen me nga 3 drejtorë secila.