Asnjë cent nga 300 eurot e premtuara prej më shumë se një viti me anë të një vendimi të Kuvendit Komunal në Ferizaj nuk u është paguar përfaqësuesve të fshatrave dhe lagjeve urbane të kësaj ane për aktivitetet e ndërmarra.
Përfaqësuesit e fshatrave i kanë kërkuar Komunës që këto pagesa të ekzekutohen sa më parë që është e mundur.
Fadil Halili, përfaqësues i fshatit Dardani, ka thënë se pjesa më e madhe e përfaqësuesve të fshatrave janë të papunësuar, dhe se ata udhëtojnë me paratë e tyre me kilometra të tëra për t’i deponuar kërkesat dhe peticionet e banorëve në Komunë.
“Një vendim është marrë, ndërkaq ne diku para 6 apo 7 muajve kemi pasur një takim me kryetarët e fshatrave dhe ka qenë një takim me kërkesa të zëshme të shumicës së tyre që vërtet Komuna të fillojë e t’i kompensojë këta. Por ka qenë premtimi se do të fillojnë me to, mirëpo nuk e di, ende nuk është bërë një gjë e tillë”, ka thënë Haliti.
Xhevat Sallahu, përfaqësues i fshatit Zllatar, thotë se është shumë e nevojshme që përfaqësuesit e fshatrave të kompensohen.
“Nëse duhet të dorëzohet një peticion, jo vetëm në Kuvendin Komunal, por edhe nëpër ministri në Prishtinë, atëherë kjo bëhet me shpenzimet tona”, shtoi Sallahu.
Rreth kësaj çështjeje ka reaguar edhe rrjeti i OJQ-ve “Avonet” në Ferizaj.
“Nëse Komuna e Ferizajt në këtë rast nuk i jep një përkushtim dhe nëse nuk i jep një përkushtim direkt në kompensimin financiar, ata nuk mund ta luajnë rolin e tyre dhe mund të jenë vetëm në letër, siç thonë popull. Andaj roli i tyre është shumë më i vogël në adresimin e problemeve të qytetarëve apo të bashkësisë që përfaqësojnë ata”, është shprehur Kenan Gashi nga AVONET.
Ndërkohë, në Komunën e Ferizajt kanë thënë se kompensimi nuk është bërë shkaku i mungesës financiare. Por kanë bërë zotime se pagesa do të realizohet brenda një të ardhmeje të afërt.
“Tashmë ju e dini se ka një vendim të Kuvendi Komunal të Ferizajt për pagesa, përkatësisht heqjen e disa mëditjeve për kryetarët e fshatrave dhe zonave urbane dhe si vendim është i zbatueshëm, përkatësisht do të zbatohet në momentin e parë që do të krijohen kushtet financiare, kushtet buxhetore, që të realizohet vendimi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt”, ka thënë Albion Sherifi, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës.
Në fillim të vitit të ardhshëm pritet që të mbahen zgjedhje të reja nëpër fshatra dhe lagje urbane me qëllim të zgjedhjes së përfaqësuesve dhe këshillave të fshatrave.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.