Arbëri

Nxënësit e Bishtazhinit të rrezikuar, asnjë pushtet nuk gjeti zgjidhje

I tërë fshati në një anë, objekti shkollor në anën tjetër. Ngasësit pak pasi e kalojnë Urën e Fshejtë dhe kthesën pas saj, dalin në një rrugë të drejtë që i joshë të rrisin shpejtësinë për të arritur në Gjakovë.

E nga aty pa kaluar as një kilometër të rrugës Prizren-Gjakovë gjendet kryqëzimi i rrugëve, njëra në të majtë që çon në fshatin Bushtazhin me rreth 100 shtëpi, dhe tjetra në të djathtë që çon në shkollën e këtij fshati "Gjergj Fishta". Nxënësit duhet ta kalojnë rrugën të paktën dy herë në ditë, vajtje-ardhje. Objekti shkollor i vjetër shumë vite, është ndërtuar pa asnjë logjikë, pasi nxënësit e gjithë fshatit duhet ta kalojnë çdo ditë rrugën e rrezikshme për të arritur në shkollë, e për t'u kthyer në shtëpi.

Banorët e fshatit thonë se pushteti në kohën e ish-Jugosllavisë kishte vendosur të ndërtojë aty objektin shkollor, vetëm sepse në atë vend kishte hapësirë të mjaftueshme si pronë shoqërore.

Derisa pushteti i asaj kohe duket qartazi se nuk është brengosur për sigurinë e jetës së fëmijëve, as pushteti i pasluftës nuk është se ka shfaqur ndonjë kujdes në këtë aspekt.

Kanë kaluar varg pushtetesh dhe asnjë hap nuk është bërë për ndërtimin e një nënkalimi, apo mbikalimi, që me një investim simbolik do të evitonte rreziqet nga automjetet që shpesh me shpejtësi të madhe kalojnë në rrugën Prizren-Gjakovë dhe anasjelltas.

Drejtori i shkollës, Pal Quni ka thënë se jeta e nxënësve është e rrezikuar në mënyrë permanente. Ai ka treguar për KOHËN se në vendin ku kalohet rruga për në shkollë dhe anasjelltas, në kohë të ndryshme janë evidencuar 17 aksidente trafiku, 9 prej të cilave me fatalitet.

Banorët e shohin si zgjidhje ndërtimin e një nënkalimi, mbikalimi, apo edhe një rrethrrotullimi në vendin ku duhet të kalojnë nxënësit. Drejtori i shkollës, thotë se ka bërë kërkesa të vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje, por pa ndonjë rezultat.

Image

Premtime ka pasur, kryesisht në kohë fushatash zgjedhore, e pas tyre problemi është heshtur. Drejtori Quni ka bërë thirrje për ngritjen e kujdesit dhe monitorimit të rrugës që e ndan shkollën nga fshati, nga Policia e Kosovës, që do të ndikonte në një ngasje të kujdesshme të automjeteve. Sidomos në orarin e fillimit të mësimit dhe të përfundimit të tij.

Nevojën për një zgjidhje që do të siguronte jetën e fëmijëve të Bishtazhinit, e ka ngritur edhe Eduard Markaj, kryetari i kësaj bashkësie lokale.

"Është e domosdoshme një zgjidhje sa më e shpejtë, një hap që ekspertët e konsiderojnë adekuat për ofrimin e sigurisë së nxënësve", ka thënë Markaj në një deklaratë për KOHËN.

Edhe Gjon Radi një banor i Bishtazhinit që përcjellë çdo ditë mbesën e tij për në shkollë ka thënë se fëmijët e fshatit janë skajshmërisht të rrezikuar derisa shkojnë në shkollë e kthehen nga ajo.

"Janë shumë të rrezikuar, kemi bërë kërkesë për një nënkalim por asgjë nuk është bërë", ka thënë ai.

Drejtori i deritashëm i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Gjakovës, Shkumbin Kastrati ka thënë se nuk i kujtohet të ketë pasur ndonjë kërkesë për ndonjë mbikalim, nënkalim apo çfarëdo projekti me qëllim të ofrimit të sigurisë së nxënësve për shkuarje-ardhje në shkollë dhe nga shkolla.

Kastrati përveç tjerash ka thënë se kërkesat për këtë problematikë do të duhej adresuar në Ministrinë e Transportit, pasi rruga Prizren - Gjakovë është rrugë regjionale dhe çdo ndërhyrje në të është kompetencë e Ministrisë.

SHFMU "Gjergj Fishta" e Bishtazhinit ka 160 nxënës dhe është e njohur për numrin e madh të nxënësve që e kanë braktisur shkollimin, pasi janë të shumta familjet e këtij fshati që jetojnë në perëndim.