Arbëri

Japonia ndihmon QKMF-në në Kamenicë të pajiset me mamograf

Shteti i Japonisë i ka dhuruar grant Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë për sigurimin e mamogramit, pajisje e domosdoshme për detektimin e kancerit të gjirit te gratë.

Nënshkrimi i grantit u bë sot në Fondacionin Jahjaga në Prishtinë nga Mitsunori Ogasawara, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë dhe Brikena Avdyli, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit Jahjaga. Vlera e grantit është 61,550 euro.

“Projekti synon të rrisë shkallën e evidentimit të hershëm të kancerit të gjirit në mesin e banorëve të Kamenicës dhe komunave fqinje, duke përfshirë Novobërdën, Ranillugun dhe Gjilanin, me dhurimin e një pajisje mamografie në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë, duke kontribuar kështu në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit në Kosovën Juglindore. Përfitueset e pritshme janë rreth 22.600 gra të rajonit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Japonisë.