Kosovë

“Hidroregjioni Jugor” thotë se tarifat për shërbimet e ujit nuk duhet të rriten

 

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) bashkë me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, të martën, në Prizren ka organizuar diskutimin publik për caktimin e tarifave të shërbimeve të ujit për periudhën 2022-2024. Zyrtarët e këtij autoriteti kanë pohuar se pas analizës së bërë lidhur me planet e “Hidroregjionit Jugor” ka rezultuar se tarifat nuk duhet të rriten. Me një konstatim të tillë janë pajtuar edhe zyrtarët e KRU “Hidroregjioni Jugor”, duke pranuar se një gjë e tillë do ta sfidojë kompaninë, por se në anën tjetër pritet mbështetja nga konsumatorët në aspektin e shlyerjes së obligimeve të akumuluara.

Vehbi Duraku nga ARRU ka bërë të ditur se në rrjedhë është procesi për përcaktimin e tarifave për vitet 2022-2024, dhe se në kuadër të kësaj merren për bazë shumë elemente, si prodhimi i ujit, humbjet e ujit, faturimi, shpenzimet operative, numri i konsumatorëve, shitjet e ujit, investimet kapitale, etj., dhe se bazuar në analizën e planeve të kompanisë ka rezultuar se tarifat aktuale janë të mjaftueshme për afarizmin e saj.