Arbëri

Deklarohen KKZ-ja dhe Policia lidhur me dyshimet për blerje votash në Podujevë

Dyshimet për blerje votash në Shkollën e fshatit Gllamnik i kanë hedhur poshtë menaxheri i kësaj qendre, Sadat Abdullahu dhe kryesuesi i KKZ-së në Podujevë, Islam Demolli. Të dy kanë thënë se rasti për të cilën është raportuar nuk ka ndodhur brenda objektit të shkollës dhe se për gjërat që mund të kenë ndodhur jashtë saj, nuk janë përgjegjës ata.

“Sa i përket objektit të shkollës ku ne jemi menaxher nuk ka pasur asnjë ekses dhe asnjë dyshim për këtë çështje. Edhe ne lajmin e parë e kemi marrë përmes mediave, por nuk ka pasur diçka të tillë brenda objektit të shkollës. Jashtë objektit të shkollës ne nuk jemi kompetent dhe nuk e dimë nëse veçse ka ndodh diçka të tillë”, ka thënë Sadat Abdullahu, menaxher në Shkollën “Kongresi i Manastirit” në fshatin Gllaminik.

Sipas tij, procesi deri tash në këtë qendër ka shkuar mirë dhe se deri pak para orës 17:00 numri i votuesve në këtë qendër ka qenë 38 për qind.

Edhe kryesuesi i Komisionit Komunal i Zgjedhjeve në Podujevë, Islam Demolli, ka thënë se për rastin e dyshimit për blerje votash është njoftuar nga mediat.

“Lidhur me këtë rast vetëm kam lexuar nëpër portale. Unë kam kontaktuar me menaxherin e shkollës dhe të gjithë stafin zgjedhor i cili është i obliguar të punojë në ditën e zgjedhjeve aty, nuk ka asnjë informatë të saktë lidhur me këtë që është raportuar”, ka thënë Demolli.

Burime të KOHËS thonë se dyshohet se rasti ka ndodhur në një restorant në fshatin Gllamnik. Ndërkohë, në Policinë e Kosovës thonë se e kanë pranuar këtë informatë dhe pas trajtimit të rastit nuk kanë gjetur elemente për inicim të rastit.

“Çdo informatë po trajtohet nga ana e Policisë dhe deri tani nuk ka ndonjë rast të hapur në rajonin e Prishtinës”, ka theksuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Në Komunën e Podujevë në rrethin e dytë të votimit garojnë kryetari aktual, Shpejtim Bulliqi nga VV dhe Ekrem Hyseni nga LDK. Islam Demolli ka thënë se deri në orën 15:00 kanë votuar 31.2 për qind e qytetarëve me të drejtë vote dhe se kjo shifër është për dy për qind më e lartë se më 17 tetor kur është votuar në rrethin e parë.