Arbëri

Bulliqi për Hysenin: Frikësohet të dalë në debate

Shpejtim Bulliqi, kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës, ka thënë se kundërkandidati i tij në balotazh, Ekrem Hyseni, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i frikësohet përballjes publike. Madje Bulliqi e ka akuzuar kundërkandidatin se ka bërë përpjekje që t’ia ulë imazhin në raundin e parë të zgjedhjeve.

Bulliqi e Hyseni do të përballen në balotazh më 14 nëntor. Hyseni i LDK-së mori 44.2 për qind të votave në raundin e parë, ndërsa Bulliqi, që është edhe kryetar i komunës, mori 44.16 për qind. Dallimi në vota ishte vetëm 18. Hyseni pati 16 mijë e 925 vota, ndërsa Bulliqi 16 mijë e 907.

Në përballjen në kuadër të emisionit Desku në KTV, Hyseni ka refuzuar të marrë pjesë duke thënë se nuk pranon të përballet me Bulliqin përderisa ky nuk i kërkon falje për akuzat se Hyseni ka tentuar t’ia ulë imazhin.

“Është justifikim për të tentuar t’i fshehë të gjitha makinacionet që faktikisht i ka bërë gjatë fazës së parë të këtyre zgjedhjeve përmes individëve të caktuar e portaleve fiktive që janë krijuar e që kanë bërë që relativisht shumë të ulet imazhi im politik atje. Përmes atyre videove dhe fotove që s’kanë të bëjnë asgjë me mua. Sa i përket kërkimfaljes, dua t’i them që ai duhet ta bëjë punën e parë, të distancohet nga ato veprime që i kanë bërë njerëz që qëndrojnë prapa tij dhe që ia bëjnë fushatën atij. Kur ai të distancohet nga ata njerëz e individë, që e di kush janë, mund të diskutojmë për gjëra të tjera”, ka thënë Bulliqi teksa ka folur për akuzat se ndaj tij ka pasur shpifje për jetën personale. “Rasti është denoncuar dhe është bërë me emra e mbiemra. Zoti Hyseni e di kush janë ata sepse edhe sot e kësaj dite po punojnë për të. Duke mbajtur portale fiktive me IP adresa të falsifikuara e duke bërë përpjekje që të dëmtojnë imazhin tonë si subjekt e timin si kandidat”.

“Ai s’është lënduar me asgjë. Ka hezituar të dalë në debat publik edhe në raundin e parë. Nuk e di si do ta tentojë postin e heziton të përballet. Mezi e kam pritur këtë përballje në kuptim idesh. E dimë kapacitetin dhe idetë e tyre. Dyshimet e mija të sinqerta janë se ai person heziton dhe ka frikë nga debatet publike e mundohet të krijojë imazh të cilin u mundua ta ruajë deri tash, në grupacione të vogla, duke pasur frikën të dalë publikisht”, ka thënë Bulliqi më tej.

Sipas tij, Vetëvendosja për më pak se një vit në pushtet në Podujevë ka “rezultate më shumë se ajo që kanë bërë ata për 20 vjet”.