Arbëri

Komuna e Prizrenit me prokurim synon kontraktimin e shërbimeve të përfaqësimit ligjor

Komuna e Prizrenit përmes procesit të prokurimit synon që të kontraktojë shërbimet e përfaqësimit ligjor. Të martën në sistemin elektronik të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik është publikuar njoftimi për kontratë i kësaj komune me titullin “Ofrimi i shërbimeve ligjore për Komunën e Prizrenit”.

“Përpilimi i parashtresave në procedurën civile dhe procedurat tjera 30 %: kontest i vlerës së vogël, kontest me vlerë mbi kontestin e vlerës së vogël e deri në 10,000 euro, kontest me vlerë prej 10,000 euro e më lartë, kontesti me vlerë prej 100,000 euro e më lartë; çmimi total i pozicionit. Përfaqësimi në seancat për çështje civile dhe të tjera 55%: përfaqësimi në konteste të vlerës së vogël, përfaqësimi në konteste që vlera e kontestit mbi vlerën e kontestit të vogël e deri në 10,100 euro, përfaqësimi në kontestet me vlerë mbi 10,000 euro e me lartë, përfaqësimi në kontestet me vlerë mbi 100,000 euro e më lartë, çmimi total i pozicionit. Mjetet juridike në çështjet civile 15 %: Mjetet”, shkruan në këtë njoftim në pjesën dedikuar sasisë apo fushëveprimit të kontratës. Kohëzgjatja e kësaj kontrate parashihet të jetë 12 muaj.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë sipas njoftimit përkatës është 50 mijë euro, derisa afati i fundit për pranim të tenderëve figuron data 16 nëntor 2021.

Javën e shkuar, KOHA ka raportuar se Komuna e Prizrenit prej mesit të këtij muaji ka mbetur pa përfaqësues ligjor, si rrjedhojë e skadimit të kontratës me operatorin e angazhuar për këtë qëllim. Në këtë situatë, drejtuesit e Ekzekutivit lokal kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren që t’i shtyjë të gjitha seancat gjyqësore ku ajo është palë për së paku për 15 ditë derisa të zgjidhet përfaqësuesi ligjor i Komunës së Prizrenit.

“Komuna e Prizrenit ka qenë e përfaqësuar nga Zyra e Avokatisë ‘Blerim Mazreku’ shpk. Zyra e Avokatisë sipas kontratës ka pasur autorizim dhe ka qenë e obliguar që të japë shërbime për Komunën e Prizrenit deri më datë 14.10.2021. Në ndërkohë Komuna ka filluar procedurën për zgjedhjen e përfaqësuesit ligjor, por për shkak se procedura ende nuk ka përfunduar, për momentin Komuna nuk ka përfaqësues për mbrojtjen e interesave të saj. Lusim Gjykatën që të ketë parasysh këtë fakt dhe interesin e përgjithshëm dhe që të shtyjë të gjitha seancat që janë caktuar për javën e ardhshme dhe të shtyhen së paku për 15 ditë, derisa të zgjidhet përfaqësuesi ligjor, me qëllim që të mos dëmtohen interesat e Komunës”, thuhej në shkresën e kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka dërguar në adresë të ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, Artan Sejrani.

Në anën tjetër edhe zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj pati konfirmuar pranimin e kësaj kërkese. Sipas tij gjatë muajit tetor kanë dështuar të mbahen disa seanca gjyqësore ku Komuna e Prizrenit është palë.

“Kjo kërkesë e kryetarit të Komunës është dërguar tek të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prizren. Si pasojë e kësaj disa seanca gjyqësore që nga fillimi i muajit Tetor ku Komuna e Prizrenit është palë kanë dështuar të mbahen, kjo pasi që edhe Kodi i Procedurës Penale, edhe Ligji i Procedurës Kontestimore e pamundëson mbajtjen e seancës gjyqësore pa praninë e palëve në procedurë.

Pra në të gjitha rastet dhe në të gjithë departamentet, qoftë ato të divizionit civil, ku Komuna është palë paditëse apo palë e paditur, pamundësohet mbajtja e seancës gjyqësore pa prezencën e përfaqësuesit të Komunës, por edhe në rastet penale ku Komuna është palë e dëmtuar, pamundësohet mbajtja a seancës gjyqësore pa prezencën dhe deklarimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar.

Gjykata në rastet ku seancat gjyqësore kanë dështuar të mbahen si pasojë e mos prezencës së përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, gjyqtarët i kanë caktuar seancat e ardhshme gjyqësore në një periudhë më të gjatë se 15 ditë”, qe shprehur Lekaj.

Komuna e Prizrenit edhe në të shkuarën ka pasur kërkesë të ngjashme për shtyrjen e seancave gjyqësore ku është palë deri në caktimin e përfaqësuesit ligjor, gjë që ishte përfillur nga Gjykata Themelore e Prizrenit për shkak të dispozitave të legjislacionit në fuqi.