Arbëri

Peja tash e gjashtë vjet pa Plan Lokal të Veprimit në Mjedis

Plani Lokal për Veprim në Mjedis në Pejë nuk është në fuqi tash e gjashtë vjet. Derisa nga Komuna nuk janë ndërmarrë hapa për azhurnimin apo nxjerrjen e ndonjë plani të ri, mjedisi në Pejë vazhdon të pësojë nga aktivitetet njerëzore e të bizneseve

Një Plan të Veprimit në Mjedis e kishte miratuar Peja në vitin 2009, me qëllim të promovimit të mjedisit të pastër.

Por, ky plan ka gjashtë vjet që ka skaduar dhe i njëjti nuk është azhurnuar nga Komuna. Njëkohësisht nuk është punuar as plani i ri, megjithëse Komuna e ka obligim ligjor një gjë të tillë.

Plani i ri për veprimin në mjedis, siç thonë nga sektori i Mjedisit në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, është prioritet vitin e ardhshëm.

Kjo pasi, siç ka thënë udhëheqësja e këtij sektori, Merita Luzha-Kuraja, drejtoria gjatë viteve të fundit ka qenë e angazhuar për hartimin e Hartës Zonale, që është ende në proces, dhe Planit të ri Zhvillimor Komunal, i cili është miratuar në vitin 2019.

“Aspekti mjedisor është çështja kryesore për komunën e Pejës. Dhe vetë slogani i Planit Zhvillimor është Peja e gjelbër dhe vitale. Kështu që është duke u trajtuar, përkundër që nuk është plani i rifreskuar, është duke u trajtuar aspekti, por shpresojmë që mandatin e ardhshëm do ta vazhdojmë edhe planin e ri”, ka thënë Luzha-Kuraja.

As plani që ka qenë e që ka skaduar, sipas organizatës mjedisore “Let's do it Peja”, e cila ka bërë vlerësimin e zbatueshmërisë së tij, nuk është zbatuar i tëri.

Prandaj, siç thotë drejtori i kësaj organizate mjedisore, Urim Xharravina, ka rëndësi të madhe për mjedisin punimi i një plani të ri.

“Nëse zbatohet një plan i ri dhe zbatohen në përpikëri rekomandimet dhe masat që dalin nga ai plan, atëherë Peja do ta kishte një mjedis më të pastër, duke përfshirë këtu ujin, ajrin, tokën, biodiversitetin, e të tjera”, ka pohuar Xharravina.

Për gjendjen aktuale mjedisore në Pejë, Komisioni Komunal për Mjedis sivjet ka dalë me një raport, sipas të cilit ka përmirësime.

Por sipas këtij raporti, gjendja duhet të përmirësohet edhe më tutje dhe të zhvillohen fushata vetëdijesimi të popullatës, e cila siç thotë kryetari i këtij komisioni, Nazmi Ibërdemaj, po i shkakton të gjitha problemet në mjedis.

“Ndihma e njeriut për fat të keq në pjesën dërmuese të rasteve del që është kundër natyrës së pastër, kundër mjedisit të pastër dhe në vazhdimësi e bën vetë njeriu, vetë qytetari, degradimin e mjedisit. Ne i kemi ngritur ato shqetësime në Kuvendin Komunal, i kemi dhënë propozimet tona se çka duhet të bëhet që gjendja e mjedisit të përmirësohet”, është shprehur Ibërdemaj.

Në mesin e propozimeve është edhe shqiptimi më i madh i gjobave për ndotësit e mjedisit.

Sivjet, siç tha inspektori Komunal i Mjedisit, Miftar Shala, janë shqiptuar 38 gjoba prej 50 deri në 1 mijë euro, një pjesë e madhe e të cilave edhe për ndotje të mjedisit.

Edhe cilësia e ajrit në Pejën e rrethuar me bjeshkë, sipas kësaj organizate dhe këtij komisioni, nuk është siç duhet të jetë, për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe tymtarëve pa filtra të bizneseve të ndryshme.

Organizata “Let's do it Peja”dhe ky Komision e shohin më se të nevojshme që zona e qytetit të shkarkohet nga automjetet, derisa bizneset por edhe objektet publike të vendosin filtra në oxhaqe.