Në Komunën e Gjakovës me rreth 94 mijë banorë, janë dhënë mbi 90 mijë vaksina anti-COVID.
Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, në këtë komunë, Afërdita Spaliu-Shllaku ka bërë me dije të mërkurën për KOHËN se deri tani në qendrën e vaksinimit në Gjakovë janë administruar 90 mijë e 456 vaksina anti-COVID.
"Me dy doza janë vaksinuar 41.983 persona, apo 44.56 për qind e popullatës, ndërsa me një dozë 48.476, apo 51.45 për qind e qytetarëve", ka saktësuar drejtoresha Spahiu-Shllaku.
Ajo ka bërë me dije se qytetarët që e kanë marrë dozën e parë të vaksinës po vazhdojnë të interesohen për të marrë edhe dozën e dytë, ndërkohë që sipas saj vazhdon të ketë rënie interesimi për marrjen e dozës së parë të vaksinës.
Komuna e Gjakovës në tentim të rritjes së numrit të të vaksinuarve ka paralajmëruar edhe vaksinimin nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare (QMF )në terren, por këtë nuk mund ta bëjnë pa lejen e Ministrisë së Shëndetësisë.
"Kemi kërkuar nga MSH-ja decentralizim të vaksinimit, mbesim me shprese se do të na aprovohet", ka thënë drejtoresha Spahiu-Shllaku.
Në Spitalin rajonal të Gjakovës, "Isa Grezda" aktualisht nuk është asnjë qytetarë i kësaj komune me COVID-19. Pesë pacientë të shtrirë në këtë spital janë nga Shqipëria dhe të gjithë janë me oksigjeno-terapi, ka njoftuar të mërkurën për KOHËN, drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala.
Ndryshe nga fillimi i pandemisë në Komunën e Gjakovës sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) kanë qenë të infektuar me Covid-19, 8 mijë e 28 qytetarë, nga ata 7 mijë e 770 janë shëruar, ndërsa raste aktive janë edhe 258.
Gjakova sipas të IKSHPK-së ka pasur gjatë kësaj periudhe 227 jetë të humbura nga Covid-19.