Arbëri

Në Podujevë regjistrohen mbi 1 mijë nxënës në klasën e parë

Shkollat në Komunën e Podujevës kanë regjistruar më shumë se 1 mijë nxënës në klasën e parë për vitin shkollor 2021-2022. Për rreth 100 nxënës më pak janë regjistruar në arsmin parafillor, kurse 1080 nxënës janë regjistruar në klasën e dhjetë. Megjithatë, zyrtarët komunalë të Podujevës kanë thënë se ky numër mund të jetë më i madh, pasi ka nxënës që ende nuk janë regjistruar.

“Gjatë muajve maj dhe qershor, shkollat fillore në Komunën e Podujevës kanë bërë regjistrimin e nxënësve të klasës së parë dhe parafillor. Në vitin shkollor 2021/2022 në klasën e parë janë regjistruar 1258 nxënës, si dhe 1132 fëmijë në klasën përgatitore (parafillor), dhe në klasat e dhjeta janë regjistruar 1080 nxënës. Drejtoria e Arsimit, me lejen e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka shpallur konkurs për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë në Gjimnaz dhe shkolla profesionale”, thuhet në informatën e Drejtorisë për Arsim, e cila është prezantuar edhe para këshilltarëve komunalë në mbledhjen e fundit të Kuvendit.

Sipas të njëjtës, regjistrimin e nxënësve e kanë bërë shkollat me komisionet e tyre, nën mbikëqyrjen e DKA-së dhe MASHT-it.

“Me qëllim të krijimit të mundësive për t’u regjistruar në klasën X edhe ata nxënës të cilët nuk kanë mundur të regjistrohen në afatin e qershorit, DKA me lejen e MASHT-it ka shpallur konkurs (afati i gushtit) për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë ne Ekonomi për dy paralele të Mjekësisë dhe Shkolle Teknike”.

Në këtë informatë janë paraqitur edhe investimet që janë bërë në shkollat e Komunës së Podujevës gjatë vitit 2021 dhe konkurset për personelin arsimor.