Arbëri

Azilantët në Magurë kërkojnë rregullimin e inventarit të dëmtuar

Ankesa për inventar të demoluar e mungesë sigurie kanë azilantët në Qendrën e Azilit në Magure të Lipjanit.

Sipas tyre, dyert dhe dritaret në këtë qendër nuk mbyllen, përderisa si shqetësim e kanë përmendur edhe, siç thonë, numrin e madh të tyre që banojnë në një dhomë të vogël.

KOHA ka siguruar disa pamje brenda objektit, derisa azilantët thonë se detyrohen që me orendi t’i mbajnë të mbyllura dyert, sa janë në gjumë.

Zaid Muhamed, azilant nga Tunizia, ka shprehur shqetësimet e tij rreth sigurisë. Ka kërkuar nga organet kompetente kushte më të mira.

“Brenda në kamp nuk ke çelës për derë, nuk ke dhomë tënden, shumë vjedhje, e të tilla. Kur shkon për ta kërkuar çelësin, të thonë jo”, ka thënë Muhamed.

Ai ka bërë me dije se shqetësimet e ngritura kanë për qëllim përmirësimin e kushteve dhe rritjen e sigurisë brenda kampit.

“Ka shumë njerëz brenda një dhome. Nganjëherë këtu ndodhin gjëra të këqija, dhe e ke të vështirë. Shpresoj të mos ketë problem për mua, që po i them këto."

Ndërkohë, në këtë qendër gjatë javës me nga dhjetëra refugjatë nga vende të ndryshme kërkojnë të regjistrohen si azilantë. Njëri nga ta është edhe refugjati Marian Dahou, i cili gjatë javës ka kërkuar strehim.

“Kam ardhur në këmbë nëpërmjet Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë”, është shprehur ai.

Rreth kushteve në Magure, KOHA i ka dërguar pyetje drejtorit të Qendrës së Azilit në Magure, Fitim Zariqi, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka sqaruar çështjen e demolimit të inventarit.

“Azilkërkuesve në Kosovë u ofrohet strehim/akomodim, ushqim tri herë në ditë, pako higjienike, veshmbathje sipas nevojës, shërbime mjekësore, medikamente, shërbime juridike, psikologjike, sociale, kurse të gjuhës shqipe, kurse rrobaqepësie, trajnime, rekuizita ne vendet historike dhe kulturore të Kosovës etj. Të gjitha këto shërbime për azilkërkuesit ofrohen falas. Për ofrimin e këtyre shërbimeve e kemi mbështetjen edhe të organizatave të ndryshme humanitare në Kosovë si; UNHCR, JRS, CRPK, KRCT, IOM etj.

Azilkërkuesit marrin edhe asistencë sociale mujore (para gjepi) nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila asistencë është e barasvlershme me asistencën që u ndahet qytetarëve tanë.

Së këndejmi, Qendra për Azil ofron edhe hapësira rekreative për azilkërkuesit fëmijë dhe të rritur, siç janë: këndi i lojërave për fëmijë (brenda dhe jashtë objektit të Qendrës), fusha e futbollit, fitnes, biblioteka (salla e leximit), salla e TV-së, etj.

Qendra për Azil është e tipit të hapur dhe azilkërkuesit mund të hyjnë dhe dalin nga Qendra prej orës 07:00- 22:00.

Qendra për Azil qe dy javë është duke rinovuar objektet e saj, përkatësisht është duke ndërruar dyert e dhomave dhe rinovuar pjesët e nevojshme të dritareve, banjave dhe mureve si pjesë e planifikimeve paraprake të prokurimit për këtë qellim.

Vlen të përmendet, se përkundër gjithë këtyre shërbimeve dhe ofrimit të kushteve të mira për azilkërkuesit në Kosovë, Qendra për Azil është duke u ballafaquar me azilkërkues nga Maroku, Algjeria, Tunizia të cilët janë nën ndikimin e substancave narkotike dhe alkoolit, e që shpesh herë po bëjnë vepra të ndryshme penale brenda kësaj qendre, por jo vetëm, duke vjedhur dhe sulmuar njeri-tjetrin dhe duke dëmtuar inventarin e kësaj qendre, për çka janë hapur raste në polici”.

Nga MPB-ja është bërë e ditur se Qendra për azil ndodhet në një proces të rinovimit të objekteve.