Fushatë me para të komunës po e konsideron Lëvizja Vetëvendosje në Fushë-Kosovë dërgimin e disa punëtorëve me kontratë mbi vepër në pushime.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Durim Hajra, nëpërmjet një reagimi ka thënë se kjo është blerje e votave nga kryetari aktual i Komunës, Burim Berisha.
Sipas tij, Berisha kështu bën gjithnjë në prag të zgjedhjeve.
“Siç po shihet Burim Berisha e ka filluar fushatën me para të buxhetit të Komunës. Muajin e kaluar kryetari ka marrë vendim për të ndarë mjete financiare për t’i dërguar në pushim punonjësit që janë të angazhuar me kontratë mbi vepër, në Drejtorinë e Shërbimeve Publike”, ka thënë Durim Hajra. “Një vendim i tillë në kohën kur zgjedhjet po afrohen, e bën të kuptojë secilin se ky nuk e ka hallin e shëtitjes së punëtorëve të cilët janë të angazhuar në projekt, por qëllimi i tij është që në mënyrë indirekte të përfitojë votat e këtyre punonjësve, siç bën zakonisht në prag të zgjedhjeve. Le ta kuptojnë të gjithë qytetarët e Fushë-Kosovës, se si po shfrytëzohen paratë e tyre për ‘blerje’ të votave”.
Për këto akuza KOHA ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Fushë-Kosovës, por gjatë ditës ato kanë munguar. Ndërkohë, në vendimin e kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, thuhet se janë ndarë 3 mijë e 500 euro për këta punëtorë, pa e precizuar numrin e tyre dhe për sa ditë kanë qëndruar në Shqipëri.
“1. Lejohen mjetet finaniare në shumë prej 3,500.00 euro me destinim për mbulimin e shpenzimeve për vizitën disa ditore në Republikën e Shqipërisë të punëtorëve fizikë të mirëmbajtjes së ambientit në Komunën e Fushë-Kosovës; 2. Sigurimi i mjeteve financiare nga buxheti i komunës sipas pikës 1 të këtij vendimi, kryerja dhe mbikëqyrja e procedurave tjera për zbatim është në kompetencë të Drejtorisë së Financave dhe Buxetit dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Mjedisit”, thuhet në vendimin e Berishës.
Siç thuhet në dokument, kryetari i Komunës e ka marrë këtë vemdim pas shqyrtimit të propozimit nr. 913 të datës 04.08.2021, paraqitur nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Mjedisit, bazuar në nenin 58, shkronja (b) të Ligjit për vetëqeverisje lokale, nr. 03/L-040 (GZ nr. 28/2008), nenin 43, shkronja (b) të tatutit të Komunës nr. 98 të datës 17.08.2021.