1 perditesime
13:41

Xhaxhai i viktimave rrëfen tragjedinë në Ujz të Gjakovës

Bashkim Sadriaj, xhaxhai i dy fëmijëve që vdiqën sot në Ujz të Gjakovës si pasojë e zjarrit që ua kaploi shtëpinë, ka treguar se si ka ndodhur ngjarja tragjike.

Ai ka bërë të ditur se zjarri ka qenë tejet i madh dhe shumë shpejt ka përfshirë pjesën e madhe të odës ku gjendeshin fëmijët.

Sipas tij, bashkë me fëmijët kanë qenë edhe tre persona të tjerë, dy prej të cilëve kanë dalë vetëm pak para se të shpërthente zjarri.

“Dikush prej familjes e ka pa si tym. Ne i kemi shtëpitë pak mëtanë, derisa jemi afruar s’ka pas shans që të mund të afrohemi krejt. Ka pas shumë tym e flakë. S’ka qenë hiq më shumë se pesë minuta gjithçka”, ka thënë ai.

Xhaxhai i dy fëmijëve po ashtu ka thënë se dyshojnë që shkaktare e zjarrit ka qenë rryma.

Ai ka thënë se nuk ka dëgjuar asnjë përpjekje nga fëmijët që të dalin nga hapësira që po digjej.

12:45

Familja dyshon se zjarrin në odën ku u mbytën dy fëmijë e shkaktoi rryma, KEDS-i dërgon ekspertë

Familjarët e fëmijëve të cilët humben jetën si pasojë e zjarrit në fshatin Ujz të Gjakovës, dyshojnë se zjarri është shkaktuar si pasojë e një shtylle elektrike.

Daja i njërit prej viktimave, Hysni Sylmetaj ka thënë se për këtë problem ishte njoftuar edhe KEDS-i, porse nuk janë marrë masa.

Sipas tij i lënduar gjatë përpjekjeve për ta shuar zjarrin është edhe babi i njërit nga viktimat, por me gjendje stabile.

Ndërkaq i pyetur nga KOHA, zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala, ka thënë se kanë dërguar ekip të ekspertëve për të analizuar ngjarjen se çfarë ka ndodhur.

“KEDS ka dërguar një ekip të ekspertëve që do të analizojnë secilin detaj çka ka ndodhur. Ne i kishim lutur të gjitha palët që të përmbahen deri të përpilohet raporti i eksperteve bazuar në të gjeturat në vendin e ngjarjes”, ka thënë ai.