Në Rahovec është rregulluar printeri që ishte prishur një ditë më parë dhe sot po punohet me dhënien e dy dozave të vaksinës për qytetarët e kësaj komune.
Kështu ka njoftuar sot për KOHËN drejtori i QKMF-së, "Dr. Fahredin Hoti", në Rahovec, Dr. Elbunit Kryeziu.
"Mbrëmë rreth orës 20:00 kanë ardhur dhe e kanë rregulluar printerin dhe sot po punojmë me dy dozat e vaksinës", ka thënë ai.
Dje gjatë tërë ditës në Qendrën e Vaksinimit në Rahovec është punuar vetëm me dhënien e dozave të dyta, pasi prishja e një printeri ka pamundësuar nxjerrjen e kartonëve të vaksinimit dhe e ka pamundësuar dhënien e dozave të para të vaksinës.
Kryeziu ka bërë me dije se aktualisht kjo qendër vaksinimi ka vetëm vaksina AstraZeneca për dozën e parë dhe se më 31 gusht kanë marrë udhëzim nga Ministria e Shëndetësisë që deri në furnizim të ri me Pfizer, si dozë e parë të jepet vetëm AstraZeneca për qytetarët që e dëshirojnë atë.
Kjo sipas drejtorit ka rezultuar me një "hezitim të vogël" tek qytetarët dhe me rënie fluksi në këtë Qendër Vaksinimi.