Komuna e Rahovecit ka filluar të bëjë teste rapide për COVID-19 edhe në Qendrat e Mjeksësisë Familjare(QMF).
Kështu ka pohuar për KOHA të premten drejtori i Qendrës Kryesore të Mjeksësisë Familjare(QKMF), në Rahovec, Elbunit Kryeziu.
Ai ka bërë me dije se këtë javë ka nisur me këto teste QMF e Ratkovcit, ndërsa nga fillimi i javës tjetër fillohet edhe në QMF-në e Krushës së Madhe.
Për fillimin e testeve në Krushë ka njoftuar edhe përgjegjësi i kësaj qendre, Qazim Duraku i cili ka bërë me dije se në këtë qendër mund të bëjnë teste banorët e fshatrave Krushë, Nagavc, Celinë e Hoqë e Vogël.
Orari i testimeve mësohet të jetë nga 07:00-13:45.
Drejtori i QKMF-së, Elbunit Kryeziu ndërkaq ka thënë se bërja e testeve rapide për COVID-19 mund të shtrihet edhe nëpër QMF-të tjera nëse shihet e nevojshme.
Ai po ashtu ka thënë se stafi mjekësor i Rahovecit është i gatshëm të organizojë edhe vaksinimin anti-COVID nëpër QMF, në rast se Ministria e Shëndetësisë e mbështet me logjistikë.