Arbëri

Bie rrjeti i Valës për disa orë në Podujevë, paraqitet ai i Serbisë

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Për rreth tri orë sot, qytetarët e Podujevës janë përballur me mungesë të shërbimeve telekomunikuese të “Valës”. Në vend të saj, sinjali i tyre në telefonat mobilë është zëvendësuar me atë të Serbisë, “Telenor”.

E shkaktar është bërë këputja e kabllos optike në atë pjesë të vendit.

Për KOHËN nga Telekomi i Kosovës është thënë se ekipet teknike janë marrë me problemin e paraqitur atje.

“Rreth orës 13:35 është identifikuar rënie e stacioneve bazë në regjionin e Podujevës, si pasojë e këputjes së kabllos optike. Me intervenimin e ekipeve teknike të Telekomit të Kosovës, rreth orës 16:50 është sanuar një pjesë e madhe e problemit dhe janë rikthyer një pjesë e madhe e shërbimeve telekomunikuese”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë, u bë e ditur se jo plotësisht shërbimet janë rikthyer, për çka ekipet po vazhdojnë punën.

“Ekipet tona janë duke punuar që të rikthejnë plotësisht shërbimet telekomunikuese në atë pjesë”.

Për paraqitjen e sinjalit të kompanisë serbe “Telenor” nuk është dhënë sqarim.

Image