Arbëri

“Për 2-3 muaj vaksinohet krejt popullata e Gjakovës”

Procesi i vaksinimit në Komunën e Gjakovës po shkon mirë, ka thënë të enjten për KOHËN, Makfirete Berisha, infermiere kryesore në Qendrën e Vaksinimit të vendosur në sallën e sportit të objektit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët "Fehmi Agani", në Gjakovë.

Rritja enorme e rasteve të infeksionit në ditët e fundit, por edhe mundësia e marrjes së masave të reja, besohet të ketë ndikuar në rritjen e numrit të atyre që paraqiten për vaksinim.

Deri tani, sipas shifrave që posedon Qendra e Vaksinimit në Gjakovë, janë vaksinuar 37 mijë e 255 persona, nga ata 12 mijë e 594 me dozën e dytë të vaksinës.

Sipas Berishës, në ditë në këtë qendër që është e vetmja në tërë territorin e Komunës së Gjakovës, vaksinohen 1200-1300 persona.

"Me këtë ritëm për 2-3 muaj e vaksinojmë krejt popullatën e Gjakovës", ka thënë me entuziazëm Berisha.

Ajo bën me dije se në këtë qendër 6 mjekë punojnë në ndërrimin e paradites dhe 6 në atë të pasdites. Të shtunave dhe të dielave jepet vetëm doza e dytë e vaksinës. Qendra posedon edhe ekipe mobile të cilat punojnë në teren për të arritur tek ata që për shkak të problemeve shëndetësore nuk mund të paraqiten për vaksinim në vendin e caktuar.

Sipas Berishës qendra posedon kushte adekuate për ruajtjen e vaksinave. Problematikë për procesin e vaksinimit sipas përgjegjësve të këtushëm paraqet mosbërja e terminëve online dhe krijimi i tollovive në qendër për këta. Qendra i pajisë me maska secilin nga ata që paraqitet aty pa maskë.

Qytetarët që po prisnin për vaksinim po e kryenin procesin e vaksinimit me motive të ndryshme. Dikush "sepse duhet", dikush "sepse imponohet".

Kolë Gjokëkolaj, rreth 66-vjeçar, ka thënë për KOHËN se vaksinimi është nevojë e domosdoshme për ta mposhtur virusin Covid-19.

"Është bërë një propagandë e keqe në opinion se kinse vaksina i dëmton njerëzit por unë nuk e besoj atë propagandë fare. Po të ishte ashtu Amerika nuk do ta bënte vaksinimin. Amerika se dëmton popullin e vet", theksoi ai.

Në anën tjetër Murat Maçi tërhoqi vëmendjen se po vaksinohej vetëm për shkak të imponimeve dhe jo se kishte nevojë.

"Unë personalisht nuk kam nevojë për vaksinë. Kam imunitet të bollshëm sa që asgjë s'më duhen antitrupat, por edhe pse po thonë se nuk është obligative vaksina në mënyrë indirekte po na imponojnë dhe obligojnë, pasi pa vaksinim nuk mund të marrësh disa shërbime në Kosovë e nuk mund të udhëtosh në shumë vende jashtë", u shpreh Maçi.

{gallery}