Ndonëse deri në afatin përfundimtar për paraqitjen e kandidaturave për kryetar komune ka mbetur edhe rreth një javë, shumica e partive politike të Malishevës ende nuk janë përcaktuar definitivisht dhe nuk i kanë paraqitur kandidatët për zgjedhjet lokale. Janë vetëm dy partitë më të vjetra, LDK dhe PDK që i kanë bërë publik emrat e kandidatëve për kryetar të Malishevës.
LDK-ja është përcaktuar për Bajrush Hotin ndërsa PDK-ja për Isni Kilajn.
Hoti i LDK-së është kryetar dege në këtë parti dhe kandidon për herë të parë për postin e kryetarit të komunës. Ai është edhe kandidati i parë për kryetar komune që vjen nga baza e qytezës së Malishevës. Kilaj i PDK-së, ndërkaq ka qenë dy mandate kryetar i Malishevës, ndërkaq më pas edhe pretendent për kryetar komune kur edhe e ka humbur garën nga kandidati i Nismës, Ragip Begaj.
Por pretendentët kryesor në garën zgjedhore të Malishevës, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të fundit, Nisma Socialdemokrate dhe Lëvizja Vetëvendosje po e mbajnë "AS-in nën mëngë", deri në momentin e fundit.
Çerkin Dukolli nga Nisma Socialdemokrate i ka thënë Koha.net-it të mërkurën se aktualisht kjo degë nuk mund të ofrojë emrin e kandidatit për kryetar.
"Jemi në konsultime finale dhe me kohë do ta keni emrin", ka thënë Dukolli. "Ajo çka mund të them është se Nisma Socialdemokrate do ta ketë kandidatin për kryetar komune me kredibilitet të lartë politik e profesional", ka theksuar ai pa përmendur ndonjë emër.
Në anën tjetër Veton Zogaj, sekretar organizativ i qendrës së LVV-së në Malishevë ka thënë për Koha.net se brenda 3-4 ditësh do të konfirmohet dhe do të bëhet publik emri i kandidatit për kryetar komune nga kjo qendër.
I pyetur nëse kandidati mund të jetë edhe nga Lista Guxo me përkrahje të Vetëvendosjes Zogaj ka thënë se ky bashkëpunim mund të vijë në shprehje në dhënien e hapësirës tek kandidatët për anëtarë të Kuvendit Komunal për Listën Guxo, ndërkohë që sipas tij kandidatura për kryetar në mes këtyre dy subjekteve është e panegociushme pasi ajo sipas tij i takon Vetëvendosjes bazuar në strukturën dhe rrjetin e gjerë organizativ që posedon. Zogaj ka thënë se në zgjedhjet e brendshme të LVV-së deri tani ka vetëm një pretendent për kryetar komune nga radhët e këtij subjekti, por nuk ka pranuar të bëjë publik atë emër. Burime të Koha.net, ndërkaq thonë se ai kandidat është Alban Krasniqi, anëtar shumë aktiv i kësaj partie në Kuvendin Komunal të Malishevës.
Fatmir Shurdhaj nga AAK-ja e Malishevës po ashtu ka bërë me dije se emri i kandidatit për kryetar komune nga kjo parti do të mësohet vetëm në ditët në vijim.