1 perditesime
15:50

Stane e hektarë të djegur në Bjeshkët e Nemuna, Morina: Erërat po e shpërndajnë zjarrin

(KosovaPress) - Si pasojë e erërave të forta, janë përhapur vatra të zjarrit në disa pjesë të fshatit Shtupeq i Madh të Rugovës.

Qindra hektarë janë përfshirë nga zjarri që ditën e sotme ka marrë përmasa më të mëdha. Në lokacionet e përfshira nga zjarri po intervenojnë zjarrfikësit, Policia e Kosovës dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po sigurojnë banorët në këtë zonë dhe po përpiqen të evitojnë dëmet e shkaktuara nga zjarri, ndërkohë ka pasur edhe intervenim nga KFOR-i përmes helikopterëve.

Zjarri që ka kapluar Shtupeqin e Madh tash e disa ditë kishte arritur të lokalizohet nga intervenimi i institucioneve por ka shpërthyer prapë dhe ka marrë përmasa më të mëdha sot si pasojë e erarëve të forta.

Drejtori i parkut kombëtar "Bjeshkët e Nemuna", Fatmir Morina thotë se banorët nuk janë të rrezikuar dhe se ka ndërhyrje në lokacionet ku vlerësohet rreziku.

“Tashmë është përhap zjarri edhe në lokalitete të tjera, ky zjarr është pothuajse që 10 ditë, ndërsa ne jemi munduar ta lokalizojmë por era e madhe e cila po mbizotëron ditët e fundit është kah e shpërndanë me të madhe. Banorët nuk janë të rrezikuar, tri shtëpi të cilat janë më afër vatrave të zjarrit janë evakuuar ndërsa pjesë të tjera banorëve janë më larg zjarrit”, thotë Morina.

Togeri Drin Merturi nga Forca e Sigurisë së Kosovës thotë se janë në vazhdimësi duke e përcjellë situatën dhe në rast rreziku do të evakuojnë edhe banorët e tjerë në këtë zonë.

“Ka familje të cilat janë evakuuar, në momentin e parë e shohim rrezik njerëzish ose dëmtim prone atëherë ne intervenojmë dhe e bëjmë evakuimin e gjithë civilëve që gjendjen në zonën ku janë duke u përhapur vatrat e zjarrit. Dita e sotme ka qenë më e rëndë për shkak të erërave, ditët e para kemi pas intervenime dhe kemi pasur më pak vatra të zjarrit, kemi pas komunikim edhe me KFOR-in të cilët na kanë ndihmuar, ekipet tona dhe pjesëtarët të cilët e kanë bërë shuarjen e vatrave të zjarrit kanë pasur komunikim duke i dërguar koordinatat dhe KFOR-i me anë të helikopterëve ka ndihmuar me u shu zjarri”, thotë ai.

Banorët në këtë zonë ndër të tjera frikësohen se zjarri do të përfshijë pronat e tyre, sipas të cilëve, rreziku vazhdon të jetë i madh me gjithë intervenimi e institucioneve.

Banori Remzi Nikqi për KosovaPress tregoi se janë 100 hektarë tokë që janë përfshi nga zjarri dhe një stan është djegur i tëri.

“Është interesant se zjarre ka pas edhe në të kaluarën por jo me këto përmasa kaq të mëdha, asnjëherë nuk e mban mend askush dhe janë lokalizuar shumë shpejt. Këtë radhë intervenimi ka qenë shumë i madh por nuk e di çka ka ndodhë, a është tek joprofesionalizmi apo erëra të mëdha, temperatura të larta dhe kjo ndikon shumë. Dje kemi menduar që është lokalizuar dhe po shkon drejt shuarjes së zjarrit, sot në mëngjes ka filluar një erë shumë e madhe dhe zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Në pjesën tjetër ka edhe djegie të staneve. Ka një stan që është djegur në tërësi. Ne vetëm mëshirën e Zotit po mbajmë shpresë, jo se nuk kanë intervenuar zjarrfikësit dhe të tjerët por po shohim që është e pamundur. Kjo është pa koment, nuk di saktë por mbi 100 hektarë janë përfshirë në zjarr dhe rrezikohen edhe qindra hektarë”, tha ai.

14:27

Erërat rendojnë situatën me zjarret në Bjeshkët e Nemuna, evakuohen tri familje në Shtupeq

Situata e krijuar nga zjarri në Bjeshkët e Nemuna është rënduar ditën e sotme, për shkak të erarëve të mëdha që po mbretërojnë.

Deri tani në fshatin Shtupeq të Rugovës janë evakuuar tri familje të cilat janë konsideruar të rrezikuara nga zjarri.

Ndërkohë zjarrfikësit, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë ndërhyre për të fikur zjarrin./KSP