Arbëri

Vushtrria do të bëhet me Treg për Prodhuesit Vendor

Komuna e Vushtrrisë ka prezantuar sot projektin për ndërtimin e “Tregut për prodhues vendor” me donator kryesor agjencinë “Islamic Relief” në SHBA.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë gjatë një konference për media bashkë me përfaqësuesin e kësaj agjencie, Mohamed Soliman, se ky projekt përveç aspektit ekonomik e zhvillimor, do të ketë edhe dimensionin social dhe turistik.

Tahiri ka thënë se ky treg do të jetë një prej tregjeve më unike jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha hapësirat e tjera shqiptare.

“Përveç aspektit ekonomik e zhvillimor do të ketë edhe dimensionin social por do të ketë edhe dimensionin tjetër që do të tërheq shumë vizitorë edhe nga Kosova edhe nga jashtë sepse është një prej tregjeve më unike që do të bëhet jo vetëm në Kosovë por besoj në të gjitha hapësirat tjera shqiptare”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, përfaqësuesi nga agjencia “Islamic Relief”, Mohamed Soliman, ka thënë se ky treg është një projekt fantastik.

“Sot, ne jemi këtu për të nënshkruar memorandumin e mirëkuptimin për themelimin e tregut për prodhues vendor në Vushtrri që është një projekt fantastik. Fermerët mund të shesin produktet e tyre dhe edhe fëmijët do të mund të kenë qasje në të. Presim që ky projekt të marrë rreth 2 vjet për tu kryer. Jam i sigurtë se bashkë me Xhaferin do të bashkëpunojmë edhe në fusha të tjerë”, ka thënë Soliman.

Lokacioni i Tregut për Prodhues Vendor do të jetë në hyrje të Vushtrrisë, me sipërfaqe prej 1,5 hektarëve. Tregu do të ketë parkingje, restaurant, kënd të lojërave për fëmijë dhe do t’i ketë 9,200 metra katrorë gjelbërim.

Sipërfaqja e tregut është 2,016 metra katrorë, ndërkaq tregu i mbyllur për prodhuesit e qumështit do të ketë 704 metra katrorë. Tregu do të ketë edhe 118 vendparkingje, 240 tezga brenda dhe 48 tezga jashtë.

Kryetari Tahiri tha se tregu pritet t’i krijojë 288 vende të punës. Ai ka thënë se në të ardhmen mendohet që në treg të vendosen edhe panela solare.

Sipas tij, të hyrat vjetore nga tregu do ta kalojnë vlerën prej 120,000 euro.

“Tregu do të menaxhohet nga Kompania Publike Komunale “Përparimi”. Kostoja vjetore e mirëmbajtjes do të jetë 112,000 euro të hyrat nga tregu e kalojnë 120,000 eurio. Do të jetë i vetëqëndrueshëm dhe i vetëmenaxhueshëm”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, çështja e pronës është zgjidhur dhe punimet pritet të fillojnë porsa të kryhen procedurat e përzgjedhjes së kompanisë. Ndërkohë, donacioni i siguruar për projektin kap vlerën e 400,000 dollarëve.